Nesër duhet të tregojmë se jemi të bashkuar!

0

Pas vizitës së presidentit të atëhershëm Bamir Topi në Ulqin (viti 2011), edhe presidenti aktual Bujar Nishani do të ndalet në qytetin tonë. Kjo vizitë, e cila vjen pas asaj të zv.kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, duket se e ka vendosur Ulqinin në axhendën e liderve shqiptarë për vitin 2015. Duke vuajtur për shumë kohë indiferencën e politikanve të shtetit amë, ky trend i ri duket se është edhe i diktuar nga lëvizjet gjeopolitike në Ballkan, sidomos pas pavarsisë së Kosovës.

Tashmë është e qartë se me shqiptarë të pakënaqur, të diskriminuar dhe të menjanuar politikisht apo ekonomikisht, asnjë vend ballkanik ku ato jetojnë nuk mund të pretendojë për integrime euroatlantike.

Prandaj kjo vizitë e presidentit Nishani nuk duhet të përcillet kurrsesi me indiferencë nga qytetarët e Ulqinit, dhe as të konsiderohet si një vizitë formale.

Në një kohë kur shqiptarët e Malit të Zi kanë shumë nevojë për unifikim të qëllimeve të tyre politike, vizita e një presidenti të Shqipërisë më shumë se kurrë mund të shërbejë si një rast i mirë për të lënë mënjanë dallimet, dhe fokusuar në atë çka kemi të përbashkët. Dhe këto nuk janë pak.

Jo rastësisht presidenti Nishani nesër do të vendos lule në varrin e një prej udhëheqësve kryesor të Lidhjes së Prizrenit.

Ymer Prizreni nuk ishte vetëm udhëheqës i madh, apo patriot i shquar. Ai ishte edhe shembull i qartë se trungu i popullit shqiptar, sado i sakatosur nga kufijtë artificial, kurrë nuk mund të shkëputet plotësisht. Varri i tij në Ulqin e dëshmon më së miri këtë.

Prandaj është shumë e rëndësishme që nesër në masë të madhe, sëbashku me presidentin e Shqipërisë, të gjithë të vendosim lule pranë varrit të këtij shqiptari të madh.

Dhe këtë nuk duhet ta bëjmë për partitë, as politikën, bile as për Nishanin, por për tu treguar të gjithë atyre që tentojnë të na përçajnë e sundojnë se Ymer Prizreni ndoshta ka vdekur, por arsyet për të cilat ai luftoi tërë jetën, jetojnë akoma!