Në qendër të qytetit së shpejti shtyllat për rregullimin e parkimit

0

Nga nje intervistë që zhvilluam me Sekretarin për Çështje Komunale, Avdulla Dervishin, lidhur me projektet e ardhshme në komunën e Ulqinit, u informuam që qendra e qytetit së shpejti do të marrë pamje tjetër me vendosjen e shtyllave për parkim. Shtyllat do të vendosen në trotuaret në zonën prej rrethit deri te stacioni i vjetër në të dy anët e bulevardit Skenderbeu, me ç´rast do të sigurohet qarkullim më i lehtë i këmbësorëve, por edhe të ndikohet në rregullimin e mënyrës së parkimit të automjeteve, të cilët nuk do të kenë mundësi të bllokojnë trotuaret në atë pjesë.

Lloji i shtyllave do të jetë nga metali që është rezistent ndaj lagështisë dhe faktorëve të tjerë të jashtëm. Sa i përket pamjes, janë përzgjedhur në përputhshmëri me pjesën me kalldrëm të Ulqinit, prandaj përveç funksionit primar do të paraqesin edhe detaje estetike për qendrën. “Nga eksperienca e mëhershme kemi vendosur që shtyllat të mos lidhen me zinxhirë ndërmjetësues, si dhe rëndësi e veçantë i është dhënë mënyrës së qëndrueshme të montimit” theksoi sekretari Dervishi.

E gjithë kjo pritet të realizohet deri në fillim të muajit të ardhshëm.