NBA: Fillon spektakli i play-off. Truimfojnë favoritët

0

Dje u zhvilluan ndeshjet e para të play-off-it në ligën më të mirë të basketbollit botëror.

Përveç Torontos, i cili humbi në fushën e vet nga Washington, favoritët tjerë arritën fitore para publikut të vet.

E udhëhequr nga veterani Paul Pierce me 20 pikë, Washington arriti të anullojë avantazhin e fushës vendase që kishte Toronto dhe fitoi 93-86. U dallua edhe Beal me 16 dhe Nene me 12 pikë, duke amortizuar kështu lojën e dobët të John Wall, i cili për 43 minuta lojë shënoi vetëm 10 pikë, me suksesshmëri katastrofale prej vetëm 27%.

Për Toronto u dallua A.Johnson me 18 dhe DeRozan me 15 pikë, kurse ylli i skuadrës Kyle Lowry shënoi vetëm 7 pikë.

Golden State vazhdon të dominojë këtë sezon, kësaj radhe viktimë ishte skuadra e fundit që siguroi play-off-in New Orleans.

Edhe pse lojtari më i mirë i tyre Anthony Davis po vazhdon të luajë mirë, është e qartë që nuk ka ndihmën e mjaftueshme të skuadrës. Ai shënoi 35 pikë por kjo nuk ishte e mjaftueshme të ndalohet skuadra më e mirë e sezonit të rregullt. Stephen Curry realizoi 34 pikë, K.Thomson 21 dhe D.Green 15 duke shtuar edhe 12 kërcime, për 106-99 në favor të Golden State.

Chicago fitoi pa probleme ndaj Milwaukee 103-91, ku u dalluan Jimmy Butler me 25 dhe Derrick Rose me 23 pikë dhe 7 asist. Lojtari malazez Nikola Mirotiq luajti vetëm 13 minuta duke shënuar 5 pikë. Për Milwaukee u dalluan K.Middleton me 18 dhe Ilyasova me 15 pikë.

Në ndeshjen ndoshta më interesante të ditës u takuan Huston dhe Dallas. Derbi teksan u fitua nga vendasit e Huston 118-108.

James Harden, edhe pse jo në nivelin e tij më të mirë, shënoi 24 pikë, i ndihmuar edhe nga T.Jones me 19 dhe veterani Terry me 16 pikë. Dallimin e bëri stoli i rezervave, ku ndihmë të madhe dhanë C.Brewer me 15 dhe Smith me 11 pikë.

Në anën tjetër, Nowitzki shënoi 24, Monta Ellis 16 dhe Rondo 15 pikë.

Rezultatet e ndeshjeve të para të play-off:

Toronto Raptors    –   Washington Wizards                  86 – 93 (0-1)

Golden State Warriors   –   New Orleans Pelicans      106 – 99 (1-0)

Chicago Bulls   –   Milwaukee Bucks                             103 – 91 (1-0)

Huston Rockets   –   Dallas Mavericks                          118 – 108 (1-0)

 

2015-04-19_12.13.13