NBA: Boston dhe Toronto pësojnë “fshesën”

0

Cleveland nuk lejoi asnjë surprizë në xhiron e parë të play off kundër Boston. Ato i fituan të katër ndeshjet dhe tani presin më të mirin e duelit Chicago-Milwaukee.

Mbrëmë ishte përsëri LeBron James në natën më të mirë duke arritur shifra double-double me 27 pikë, 10 kërcime dhe 8 asist.Double-double regjistroi edhe K.Irving me 24 pikë dhe 11 kërcime, kurse Shumpert shtoi 15 të tjera për fitoren 101-93.

Thomas dhe Sullinger ishin më të mirët për Boston me nga 21 pikë secili.

Përplasja ndërmjet Washington dhe Torontos u cilësua si më e balancuara e xhiros së parë të play off-it, duke pasur parasysh rezultatet e sezonit të rregullt dhe cilësitë e skuadrave. Por kjo nuk u pa fare në këto katër takime. Wizards dominuan komplet duke i dhëne papritur “fshesën” 4-0 Torontos.

Washington kishte plot shtatë lojtarë me statistikë dyshifrore, ku u dalluan Beal me 23 dhe Gortat me 21 pikë dhe 11 kërcime. Wall regjistroi double-double me 14 pikë dhe 10 asist.

Raptors nuk kishin mbrëme lojtarë në formë përvec Lowry-it i cili shënoi 21 pikë.

Për dallim nga dy duelet e mësipërm Spurs dhe Clippers vazhdojnë “luftën”. Clippers arritën të kthejnë “break”-un që arriti San Antonio në Los Angeles duke barazuar gjithcka në 2-2.

Kur Chris Paul ka natën e tij edhe Clippers nuk e kanë të vështirë të fitojnë. Ai mbrëmë mori gjithcka në duart e veta duke shënuar 34 pikë, i ndihmuar nga i zakonshmi Griffin me 20 dhe 19 kërcime. Kontribut të madh dha edhe Rivers nga stoli i rezerveve me 16 pikë.

Për Spurs, Leonard përsëri ishte në nivel me 26 pikë i ndjekur nga Duncan me double-double 22 pikë dhe 14 kërcime si dhe Parker me 18 pikë.

 

Ndeshje tjetër interesante u luajt në Teksas. Derbi ndërmjet Dallas dhe Huston do të ketë së paku edhe një ndeshje tjetër pasi Mavericks fituan dhe ngushtuan diferencën në 1-3.

Kësaj radhe Howard nuk arriti të dominojë poshtë basketit ku Aminu dhe Chandler regjistruan 12 dhe 14 kërcime. Harden shënoi 24 pikë, Smith 23, dhe Brewer shtoi 22 nga stoli i rezervave por Mavericks kishin më shumë lojtarë në formë.

Monta Ellis torturoi komplet mbrojtjen e Rockets, duke shënuar 34 pikë, Nowitzki dhe Aminu shtuan nga 16, kurse surprizën e krijoi rezervisti Barea, i cili përvec 17 pikëve regjistroi edhe 13 asist.

 

 

Rezultatet e ndeshjeve:

 

Boston Celtics   –   Cleveland Cavaliers               93 – 101 (0-4)

Washington Wizards   –   Toronto Raptors           125 – 94 (4-0)

San Antonio Spurs   –   Los Angeles Clippers      105 – 114 (2-2)

Dallas Mavericks   –   Huston Rockets                 121 – 109 (1-3)