Nail Draga: Vështrim për librin e Ali Bardhit

0

IDENTITETI  PËRMËS MBISHKRIMEVE

Ali Bardhi, Varrezat në Anë të Malit-Ulqin, Botoi: Art Club, Ulqin 2016

Deri më tash për shqiptarët dhe viset shqiptare në Mal të Zi pas vitit 1990 janë botuar libra më vlerë nga autorë shqiptarë nga një gamë e gjerë profilesh si shkencore, letrare e publicistike  duke dëshmuar qasjen profesionale të autorëve për çështjet përkatëse.

Jo vetëm nga aspekti gjuhësor e kulturor por edhe kombëtar mbishkrimet e gurvarreve vazhdimisht kanë qenë çështje preokupuese për studiues  profileve të ndryshme. Qoftë si mbishkrime por  edhe si epitafe ata kanë tërhequr kureshtjen e opinionit nga vet fakti se ishin të një gjuhe të huaj dhe e pakuptueshme ne këto mjedise. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë me Perandorinë Osmane, e cila ka administruar shekuj me radhë edhe hapësirën etnogjeogarfike  shqiptare në Europën Juglindore. Dhe pikërisht në lidhje me këtë çështje kohë më parë opinionit  i paraqitet Ali Bardhi  me botimin Varrezat në Anë të Malit-Ulqin, botuar nga Art Club-i.

Nga përmbajtja e tij del qartë se kemi të bëjmë me një botim interesant që është  i pari  i këtij lloji tek ne, duke ofruar të dhëna faktografike për gurvarret në krahinën e Anës së Malit(Ulqin). Angazhimi i autorit ka qenë plot pasion e profesionalizëm, duke mbledhur material me vlerë,  duke i vizituar ato mjedise personalisht apo i shoqëruar me persona të tjerë të cilët  kanë qenë edhe informatorë të mjedisit përkatës. Të dhënat e publikuara në këtë libër përfshijnë periudhën kohore nga viti 1707 e deri në vitin 1956. Janë vizituar,  fotografuar e përkthyer  mbishkrimet  për 600 varre, te 26 vendbanimeve kësaj krahine, duke ofruar një informacion më vlerë sa kulturorë, gjuhësorë  por edhe kombëtarë.

Duke qenë me profesion teolog, si dhe njohës i gjuhës arabe, osmanishte dhe turqishte autori ka marrë në shqyrtim gurvarret me mbishkrime arabo-osmane, ndërsa nuk janë trajtuar ata në gjuhën sllave apo shqipe, për këtë periudhë kohore. Një veprim i tillë ishte me vend se nga periudha e Perandorisë Osmane, mbishkrimet e tilla janë dëshmi autenike e kohës së shkuar, që ka të bëjë me konvertimin e kësaj popullsie në islamizëm.

Ndonëse mbishkrimi më i vjetër i gurvarrit i takon vitit 1707, e ate pikërisht në vendbanimin Shtodër, mendoj se mbetet të hulumtohet gjithnjë,  sepse islamizimi i kësaj popullsie të kësaj krahine pothuaj ka qenë i përfunduar  më herët pra  në shek. XVII, andaj ka bazë logjike qe te kemi mbishkrime të tilla edhe më herët.

Një konstatim të tillë e mbeshtesim në faktin se Shkodra me rrethinë u okupua nga Perandoria Osmane, pas dorëzimit nga ana e Venedikut në vitin 1479, ku bënte pjesë edhe gjysma e Anës së Malit. Ndërsa pjesa tjetër e saj ishte nën pushtimin e Venedikut, ku veçohej qyteti mesjetar i Shasit, deri në vitin 1571 kur u pushtua nga Perandoria Osmane së bashku me Ulqinin e Tivarin. Në lidhje me këtë periudhë kohore për ca vendbanime dhe popullsinë e kësaj krahine na ofron të dhëna me interes edhe M.Bici.

Duke shfletuar këtë botim i cili i ngjan  një albumi të veçantë( f.44-224) del se shumë varre janë  të dëmtuar dhe  të thyer. Një pamje e tillë e varrezave familjare apo kolektive lë për të dëshiruar por edhe hap dilema të mëdha. Por, nëse analizohet e kaluara historike e kësaj krahine, në dy shekujt e fundit, del qartë se ajo ishte në shënjester të  formacioneve pushtuese malazeze në periudhën kohore 1877/78 dhe 1912/13. Kemi të bëjmë pikërisht  me kohën e fillimit të dekompozimit të Perandorisë Osmane në Siujdhesën Ballkanike, dhe aspiratat ekspansioniste të shtetëve fqinje ndaj hapësirës etnogjeografike shqiptare. Ishte ky një veprim vandal i malazezëve ku si dëshmi na shërbëjnë varret e dëmtuara dhe të thyera, nga ana e tyre, ku autori  si të tilla ka evidentuar 140 varre në tërë Anën e Malit.

Duke analizuar këtë botim, del qartë  mbijetësa dhe ruajtja e identitetit kombëtar të popullsisë shqiptare në këtë krahinë etnografike. Pikërisht duke marrë parasysh rrethanat e kohës dhe pozitën sociale të popullsisë nën sovranitetin e Osmanllinjëve, identitetin e kësaj popullsie e vlerësoj  në  dimensionin  kombëtar sepse mbeti  ashtu siç ishte shqiptare nga koha antike e deri në ditët tona, sepse konvertimi fetar nuk ndikoj në tjetërsimin kombëtar.

Identiteti  kombëtar  dëshmohet përmes  gjuhës përkatësisht  emrave dhe mbiemrave personal apo familjarë. Kështu na ka rënë rasti të hasim emra me kuptimin shqip si Ujk, Hana, Zog etj., qe jep për të kuptuar lashtësinë e këtyre banorëve, dhe ruajtja e tyre edhe në pushtetin e ri.

Por, ne këtë aspekt vlen të cekën patronimet, përkatësisht mbiemrat personal dhe familjarë që janë me vlerë të madhe për gjuhësinë shqiptare, sepse si të tillë kanë ruajtur identitetin e tyre kombëtar. Kështu  p.sh. kemi patronime me bazë të toponimit si: Shasi, Kraja, Krytha, Suma, Milla, Bojku etj., duke u identifikuar me vendlindjen apo krahinën e origjinës. Po ashtu kemi edhe patronime tjera  si: Luka, Lika, Holli, Sala, Duraku, Tela etj., që kanë një vazhdimësi edhe në ditët tona.

Pikërisht në lidhje me këtë çështje autori me të drejtë cekën se këta patronime si të tilla janë deri në vitin 1912,  kur kjo krahinë ishte në kuadrin e Perandorisë Osmane. Ndërsa më vonë pas aneksimit nga Mali i Zi,   pushteti dhe administrata malazeze popullatës   shqiptare mbiemrave  iu ka vendosur prapashtesën sllave viq, apo iq, që ishte faza e parë e asimilimit. Ishte ky një veprim perfid i pushtetit ndaj identitetit kombëtar  të kësaj popullsie, të një krahine e cila ishte shqiptare tërësisht sa i përket strukturës etnike.

Duke analizuar këtë botim, del qartë se autori është përpjekur  që në sajë të mundësive të bëj lidhjen familjare të përsonave të varrosur. Në ketë aspekt i kanë ndihmuar disa të moshuar të cilët kanë trashëguar informata nga të parët e tyre apo të tjerë në vendbanimin përkatës. Pikërisht ne këtë aspekt  del se trashëgima familjare mund të shkoj më së largu deri  në pesë breza apo 150 vite.  Një e dhënë e tillë dëshmon se është zbehur  kujtesa  familjare për trashegiminë e familjes apo të fisit, gjë qe nuk ndodh të shqiptarët në krahina të tjera etnografike, sikurse është p.sh. Malësia e Madhe ku tradita familjare është përcjellur deri ne 15 breza pa ndërprerë. Një dukuri e tillë nuk ka dilemë se meriton një qasje të veçantë për ndonjë hulumtim dhe studim tjetër enkas për ketë mjedis.

Ne fund duhet përgëzuar autorin për këtë botim me vlerë i cili është i pari me tematikë të tillë, ku bësoj se do të mirëpritet nga opinioni i gjerë  shkencor dhe kulturor. Uroj dhe shpresoj se një botim i tillë do të jetë nxitje edhe për  studiues të tjerë, për të vazhduar hulumtimet në vise të tjera shqiptare. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë do të jetë në favor të shkencës dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.

 Dr. Nail  Draga

(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Ulqin me 4 nëntor 2016)