Modeli i dështuar ndëretnik i Maqedonisë

0

Nga Dionis Xhafa

 

Për të folur për shqiptarët e Maqedonisë, veç pikëpmajes ekonomike, e cila është thënë dhe stërthënë se lë shumë për të dëshiruar, por ashtu vlen të flitet edhe për sistemin politik brenda së cilit jetojnë shqiptarë. Ky sistem ka jo pak probleme brenda dhe jashtë Republikës, të cilat ia vlen të preken.

Faktori ndërkombëtar shpesh ka theksuar problemet që has sot Republika e Maqedonisë. Shteti i Maqedonisë përballet me probleme të brendshme dhe të jashtme e që të dyja bien në kurriz të shqiptarëve. Problem i brendshëm jo i vogël është fakti se pushteti ka formësuar një sistem vlerash nacionaliste të cilat, sipas analistëve ndërkombëtarë vijnë dhe nga presioni për emrin që ushtron shteti grek. Sido të jetë, ngjyresat nacionaliste, sidomos të partisë maqedonase në pushtet VMRO-së, shkaktojnë një sërë problemesh për qytetarët në përgjithësi, e për shqiptarët në veçanti. Kjo për shkak se nacionalizmi i pushtetit e mbyt “frymën pacifiste” mes dy etnive kryesore, shqiptarëve dhe maqedonasve. Së dyti, është po ky nacionalizëm, i shpërfaqur në mënyra të ndryshme që ka lënë Maqedonisë thuajse ka plot 10 vite pas në proceset euro-integruese. E, të pakta nuk janë edhe problemet e jashtme, sidomos me fqinjët, si me Greqinë, Bullgarinë dhe me Serbinë. Përballja e shtetit të Maqedonisë dhe sidomos e partisë maqedonase në pushtet me çështje që në ballë kanë ruajtjen e identitetit të Republikës, ka bërë që qytetarët të lihen gjithnjë e më pak në hije sa i takon përkujdesjes.

 

U bënë vite tashmë që në skenën politike të Maqedonisë “sundojnë” dy parti, ajo shqiptare BDI dhe maqedonase, VMRO-ja. Edhe pse janë në koalicion, të dy partitë ndajnë pushtetin, por ndahen në shumë çështje, e një nga ta është edhe ajo për emrin.  Kjo çështje, kaq e rëndësishme për shtetin si duket është marrë përsipër të realizohet nga VMRO-ja, e cila jo pak iu kushton rëndësi çështjeve që kanë të bëjnë me rëndësinë e Republikës. Një pushtet që kujtohet më shumë për fortësinë e shtetit dhe jo të qytetarit, më tepër është armik sesa mik i qytetarit të thjeshtë. Një pushtet që i mëshon nacionalizmit me statuja gjigande ndihmon për fortësinë e shtetit dhe e njerëzve që punojnë për shtetin dhe jo njerëzve civilë që përpiqen të jetojnë ndershmërisht. Një pushtet po me nacionalizëm shyt shpresat për një model të paqes ndëretnike, shfaqet hijerëndë mbi qytetarin e pambrojtur politikisht.

 

Modeli multietnik i Maqedonisë, jo vetëm që lë shumë për të dëshiruar, por është gati në dështim. Dy etnitë kryesorë të Republikës, shqiptarët dhe maqedonasit jetojnë në “botë krejt të ndara” dhe nuk kanë thuajse aspak ura komunkimi mes njëra-tjetrës. Maqedonia nuk është Zvicra dhe qeveria në shtetin e Maqedonisë po ashtu nuk ka standardin e një shteti perëndimor. Në dy etni që jetojnë veçmas gjeografikisht, me vlera, kulturë e zakone krejt të ndryshme, pushteti flet për një model multietnik që vështirë të ekzistojë. Modele të tilla, të sistemuara edhe “me forcë” nga perëndimorët, janë problem jo vetëm në Maqedoni, por në çdo shtet të Ballkanit. Problem për aplikimin e një sistemi të tillë janë edhe Serbia, Kosova dhe Bosnja. Në një gadishull ku nacionalizmi shpërfaqet në çdo etni, modelet multietnike janë të vështira të realizohen. Nacionalizmi nuk është i pranishëm vetëm në shoqëritë, por sidomos në partitë pushtetare, të cilat luajnë me kartën e nacionalizmit për të mbajtur pushtetin . Për sa kohë nacionalizmi do të qëndrojë i gjallë në Ballkan, diku nga naiviteti dhe diku nga interesat, fatkeqësisht realiteti do të vijojë të jetë mbytës.

 

/www.klan.mk/