Dafina Halili: Mirëpritja çnjerzore e Bashkimit Europian

0

Nga Dafina Halili

 

“E putha tokën dhe e falënderova Zotin për faktin se fëmijët e mi ishin mirë, në momentin që u kthyem përsëri këtu pas deportimit”, i tha Mirsad Puqolli Kosovo 2.0, duke bërë me gisht kah oborri i tij i zymtë në Fushë Kosovë.

 

Puqolli është kosovar i komunitetit ashkali, të cilët së bashku me romët dhe egjiptianët (RAE), ende mbesin në mesin e komuniteteve më të përjashtuara, margjinalizuara dhe diskriminuara në shoqërinë e Kosovës. “Çdo ditë luftoj t’i ushqej fëmijët e mi, por asnjëherë nuk planifikoj të udhëtoj për në BE përsëri, jo pas gjithë poshtërimit që e pësuam prej policisë hungareze… Ata na trajtuan si kafshë”.

Dera hyrëse është vetëm gjysëm e hapur, por prap se prap është e mjaftueshme për t’i parë kushtet e mjerueshme në shtëpinë e Puqollit, që i ngjanë një kutie të vockël, në të cilën hapësirë të vogël e tërë familja e tij ngushtohen së bashku. Në këtë lagje të ndarë, të harruar dhe të prekur prej varfërisë, mbijetesa varet prej punës ditore. Pa siguri për të ardhmën, Puqolli shfrytëzoi rastin e ikjes nga vendi gjatë valës së fundit emigrantëve ekonomik kosovar që kërkuan azil në BE.

Në tetorin e kaluar, duke i mbajtur dy djemtë e tij, njëri tre-vjeçar e tjetri një-vjeçar, Puqolli dhe partnerja e tij Vezire Ademi morrën rrugën famëkeqe të emigrantëve të padokumentuar kosovar drejt Hungarisë. Pasi udhëtuan prej Prishtinës në Suboticë me autobus, ata kaluan kufirin Serbi-Hungari, vetëm për t’u arrestuar e mbajtur nga policia hungareze.

Çfarë ndodhi më pas ishte si skenë nga filmi ‘Golden Dream’, ku emigrantët i ikin varfërisë së Guatemalas dhe përjetojnë çdo vuajtje të përfytyrueshme në udhëtimin e tyre për në SHBA. Por, shkelja e të drejtave njerëzore të emigrantëve nuk ndodh vetëm në kufirin e largët meksikano-amerikan; ndodh gati çdo ditë në kufijtë e këtij rajoni.

Më herët gjatë këtij muaji, Amnesty International lansoi një raport për shkeljet kundër refugjatëve dhe emigrantëve në brezet kufitare të Evropës. U bazua në një hulumtim që u bë në mes të korrikut të 2014-ës dhe marsit të 2015-ës, si dhe në intervista me më shumë se 100 refugjatë dhe emigrantë. Dëshmitë e tyre zbulojnë kushtet tronditëse me të cilat përballen ata që udhëtojnë përgjatë rrugës shumë të frekuentuar të Ballkanit perendimor.

Mijëra refugjatë, azilkërkues dhe emigrantë – duke përfshirë fëmijë – që bëjnë udhëtime të rrëzikshme përgjatë Ballkanit përballen me abuzim dhe zhvatje të dhunshme në duart e autoriteteve dhe bandave kriminale, tregon raporti. Dhe ata po lihen në baltë në mënyrë të turpshme nga sistemi i dështuar i BE-së për azil dhe migrim.

Të trajtuar si qenë

Gjetjet e raportit janë të njohura për Puqollin. Pasi e zënë atë dhe familjen e tij, policia hungareze ua morrën çantën dhe e shprazën të tërën. Policia e gjuajti bukën dhe ushqimin që e gjetën në çantë, duke e shkelmuar. “Ishte ushqim për fëmijët tonë… Kush bënë këso gjëra?” tha Puqolli.

Policia i çuan në një qendër dënimi që duket si burg, duke i ndarë Puqollin e Azemin prej fëmijëve të tyre sapo arritën. Raporti i Amnesty thotë se nën standardet ndërkombëtare, dënimi duhet të përdoret si mjet i fundit, dhe vetëm kur rasti individual mund të justifikohet si i domosdoshëm dhe proporcional. Fëmijët, duke i përfshirë të miturit e pashoqëruar, nuk duhet të mbahen asnjëherë, pasi që nuk është kurrë në interesin e tyre më të mirë.

“Pasi shkuam në atë burg, policia na zhveshën krejtësisht për të na kontrolluar. Na hoqën edhe lidhëset e këpucave”, tha Puqolli. Azemi thotë se edhe gratë i zhveshën, duke treguar me hollësi sa turpëruese ishte në veçanti për gra emigrante të mbuluara.

Trajtimi degradues dhe jonjerëzor vazhdoi gjatë tërë qëndrimit në kampin e dënimit, ku ata u vendosën në dhoma të vogla, të cilat i ndanin me emigrantë tjerë. Një herë në ditë, policia u gjuante nga një shishe të ujit (një shishe për të gjithë njerëzit në dhomë) dhe ca copa të bukës; nëse e kapnin një pjesë, mund të hanin. “Na gjuanin ushqim, siç i gjuan eshtra qenve”, tha Puqolli. “Nëse e kap bukën, atëherë është i vetmi ushqim që e ke për tërë ditën”.

Puqolli thotë se në një rast ai u mundua të ik nga dhoma dhe të kërkojë ujë. Por para se t’i bënte disa hapa, dikush e kapi për qafe. Kur shikoi lart, i pa tre policë duke e mbajtur poshtë.

Në një rast tjetër, Puqolli tregon se si e pa një burrë të ri prej Mitrovicës duke kërkuar cigare. Polici iu përgjigj në mënyrë agresive dhe burri i ri e shau policin në shqip. Puqolli mendon se përkthyesi i tregoi policit. “Pas disa sekondave tre policë e kapën burrin, e çuan jashtë, dhe filluan ta rrahin aq keq sa që u alivanos dhe mbeti aty për nja 2 orë”.

Kosovo 2.0 kontaktoi Ministrin e Punëve të Brendshme të Hungarisë me kërkesë për të komentuar. Megjithatë, edhe pse dërguan konfirmim që kërkesa ishte pranuar, Ministria nuk u përgjigj më tej.

kosovo2.02

 

Amnesty tregon se ata që u kapën duke hyrë në Hungari në mënyrë të parregullt u arrestuan dhe u mbajtën në mënyrë rutinore, shpeshherë në kushte degraduese dhe në vende të stërmbushura, ose u trajtuan keq prej policëve. Deri sa shumica e azilkërkuesve të mbajtur u liruan më vonë në qendra të hapura të pritjes, ata që u konsideruan si të rrëzikshem për të ikur mbeten në qendra të dënimit.

Grusa Matevzic, zyrtare ligjore në Komitetin Hungarez të Helsinkit komentoi mbi këtë çështje më herët për Kosovo 2.0. “Kur kërkojnë azil, ose dërgohen në qendra të hapura të pritjes, ku kanë liri të dalin, ose në qendra të dënimit të azilit, ku mbahen detyrimisht. Është shumë e paqartë se si vendosin se kush shkon ku – nuk ka strukturë të qartë”.

Pas disa ditëve, Puqolli dhe familja e tij u çuan në kampin e refugjatëve Bicske, afër Budapestit. Megjithatë, kërkesa e tyre për azil u refuzua. UNHCR (Agjencia e Refugjatëve e Organizatës së Kombeve të Bashkuara) njofton se grupet specifike, duke përfshirë anëtarët e komuniteteve RAE, nuk duhet të kthehen në Kosovë për shkak të diskriminimit dhe persekutimit që e përjetojnë në qasje të punësimit, arsimit, kujdesit shëndetësor dhe strehimit.

Megjithatë Amnesty thekson se procedura e azilit në Hungari përbënë refuzim gjithëpërfshirës, pa vlerësime individuale të nevojave të mbrojtjes. Sipas raportit të Amnesty, gati të gjitha aplikimet për azil të bëra në Hungari prej qytetarëve të Kosovës u refuzuan haptazi si të pabaza; 99.4 përqind në 2014 dhe 100 përqind në 2013. Prej numrit të plotë të 21,453 aplikimeve për azil në Hungari në 2014, vetëm 21 aplikantë fituan mbrojtje të përkohshme; azil iu dha 240 njerëzve – diku 1 përqind i numrit të plotë të aplikimeve.

Pas 22 ditëve në kampin e hapur Bicske, Puqolli dhe Azemi ikën me fëmijët e tyre në Traiskirchen në Austri, ku gjithashtu kërkuan azil, dhe përsëri iu refuzua. Pas disa ditëve, u vendosën në një aeroplan dhe u deportuan përsëri në Kosovë.

Politikat e çala të BE-së për migrim

Edhe pse Hungaria i është nënshtruar vrojtimit të thukët hetues për trajtimin jonjerëzor të tyre ndaj emigrantëve, azilkërkuesve dhe refugjatëve, nuk është i vetmi vend evropian të ketë dështuar të përmbushë standardet ndërkombëtare. Në kufirin e Maqedonisë me Greqi, dhe në kufirin e Serbisë me Maqedoni, refugjatët në mënyrë rutinore i nënshtrohen dëbimeve të paligjshme, keqtrajtimit prej Policisë Kufitare dhe shfrytëzimit prej kontrabandistëve, raporton Amnesty. Në vend të sigurisë dhe mbrojtjes, emigrantët e padokumentuar dhe refugjatët përballen me dënime nga autoritetet, dhe shfrytëzime financiare nga policia, të cilët keqpërdorin autoritetin e tyre për të kërkuar ryshfet.

Më herët gjatë vitit, gjatë punës me gazetën franceze Le Monde, fotoreporteri kosovar Ferdi Limani vizitoi një fabrikë të vjetër të tullave në qytetin verior serb, Suboticë, që është shndërruar në kamp për refugjatë. Në intervistë me Kosovo 2.0, ai tregoi se si ishte dëshmitar i kushteve të tmerrshme të refugjatëve që po mbijetonin të ftohtin dhe urinë prej ditës në ditë, falë vendasve – veçanërisht një prifti – që po u sillnin ushqim çdo ditë. “Policia serbe na kërkoi para në mënyrë që të mos na sulmojnë e të na lënë rehat”, një burrë 50-vjeçar sirian i tha Limanit.

Amnesty tha se numri në rritje i emigrantëve dhe refugjatëve që po marrin rrugën e Ballkanit (numri i kalimeve të paregullta që u bënë në kufirin Serbi-Hungari është rritur 2,500 përqind që prej vitit 2010) është pasojë e dështimit më të gjërë të politikës së BE për migrim dhe azil, dhe tha se kjo është çështje mbi të cilën Serbia dhe Maqedonia nuk kanë kontroll. Duke ua lënë përgjegjësinë primare për shqyrtim të aplikimeve të azilit shtetit të parë hyrës të BE-së, dhe duke kufizuar rrugët e sigurta dhe ligjore hyrëse, është vendosur presion i papërballueshëm në shtetet fqinje dhe skajet e jashtme të BE-së.

kosovo2.03

 

Sian Jones, hulumtuese e Amnesty International dhe bashkë-autore e raportit të fundit, i shpjegoi Kosovo 2.0 se nën politikën e BE-së për migrim, dhe veçanërisht në shtete të anëtarësimit si Serbia dhe shtete kandidate si Maqedonia, shteteve u kërkohet që të përmirësojnë kontrollin kufitar. Kjo mund të thotë që të mos i lënë njerëzit të qëndrojnë brenda BE-së, por ky veprim duhet të ndërmerret vetëm duke respektuar masat e domosdoshme siguruese. “Duhet të bëhet në mënyrë të ligjshme – pasi që dëbimet janë të paligjshme – nëpërmjet proceseve të përshtatshme, si urdhërat e deportimit”, tha Jones. “Duhet tërë kohën t’i lejojnë azilkërkuesit që të regjistrojnë kërkesën për azil, ose apelim kundër internimit të tyre. Dëbimet nuk përfshijnë asnjërën prej këtyre masave siguruese”.

Jones gjithashtu argumentoi se BE-ja duhet të jep më shumë ndihmë për shtetet e vijës së frontit për të përmirësuar sistemet e azilit dhe masat tjera. “Të hiqet barra nga këto shtete, duke lejuar azilkërkuesit e suksesshëm, të cilëve iu është dhënë azil në Hungari ose Itali, për shembull, të udhëtojnë në shtete brenda BE-së, ku mund të kenë familje ose mbështetje prej ndonjë komuniteti të vendosur që vjen prej shtetit të tyre”, tha Jones.

“Shtetet anëtare të BE mund të rrisin numrin e shteteve të pranimit humanitar ose të japin viza humanitare për refugjatë, ose mund ta bëjnë shumë më lehtë për refugjatë me anëtarë të familjes në shtetet anëtare të BE-së, duke i lejuar që të bashkohen nëpërmjet të drejtës së ‘ribashkimit familjar'”.

Në Kosovë, përvojat e dënimit poshtërues dhe deportimit nuk janë të lehta për t’u harruar për Puqollin dhe familjen e tij. Por, edhe pse ai është detyruar të kthehet në kushtet e njejta degraduese që ai mendoi se i kishte lënë pas, Puqolli është mirënjohës që ai të paktën ka një çati të sigurt – edhe pse të improvizuar – mbi kokën e tij. Është mëshirë e vogël, pas përvojës së hidhur gjatë rrugës për në BE, por deri kur njerëzve si Puqolli iu ipen më shumë mundësi për t’u bërë të zot të së ardhmës së tyre, është të paktën diçka për cilën mund të kapet.

 

 

/kosovotwopointzero.com/