Miratohen qëndrimet dhe përfundimet lidhur me PHU-në

0

Gjatë shqyrtimit publik të Projekt Planit Hapësinor të Komunës së Ulqinit ka pasur shumë vërejtje dhe sugjerime nga ana e qytetarëve, objekteve komerciale dhe pjesëmarrësve të tjerë, si dhe nga ana e këshilltarëve. Për këtë arsye, pas diskutimeve që kanë zgjatur deri në orët e vona të datës 30.09.2014, Kuvendi i Komunës së Ulqinit njëzëri miratoi këto 13 qëndrime dhe përfundime:

  1. Obligohet Kryetari i Komunës së Ulqinit që në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit të përditësojë dhe aktivizojë punën e Këshillit dhe Ekipit Ekzekutiv në përputhje me marrëveshjen në mes të Komunës së Ulqinit dhe Qeverisë së Malit të Zi.
  2. Obligohet Kryetari i Komunës së Ulqinit të formojë Komisionin e Ekspertëve, i cili do të konsiderojë Projekt Planin e propozuar dhe vërejtjet e paraqitura gjatë shqyrtimit publik, si dhe do të jetë trup këshillues tek autoriteti kompetent dhe tek përfaqësuesit e Këshillit dhe Ekipit Ekzekutiv.
  3. Të pranohen dhe përfshihen në përpunimin e PHU-së së Ulqinit në fazën e sugjerimeve të gjitha dokumentet e miratuara lokale të planifikimit, si dhe ato që janë në fazën e përpunimit dhe të cilat i janë dhënë përpunuesit të Planit nga ana e Sekretariatit kompetent.
  4. Sa i përket zonës së Gjirit të Valdanosit dhe rrethinës së saj, të mos parashikohet asnjë ndërtim i objekteve të akomodimit, por kjo zone të parashikohet për bujqësi, sport dhe rekreacion.
  5. Sugjerojmë që superstrada drejt Shqipërisë, e cila sipas projekt planit kalon ndërmjet vendbanimeve Shtodër dhe Fraskanjel, të ridrejtohet drejt Sukubinës, gjegjësisht në afërsi të kalimit kufitar të tanishëm.
  6. Kuvendi i Komunës së Ulqinit mbështet qëdrimin e përpunuesit që Kriporja e Ulqinit të jetë monument i natyrës.
  7. Për Qytetin e Vjetër të Shasit duhet të planifikohet punimi i projektit urbanistik.
  8. Rrënojat e objektit, gjegjësisht pjesët arkeologjike të cilat gjenden në zonën arkeologjike dhe të cilave Projekt Plani Hapësinor i Ulqinit u referohet si “arkitekturë sakrale”, duhet t’u referohet me “objekt kulturor historik”.
  9. Në udhëzimet për zbatimin e PHU-së përgjatë rrugës rajonale R-16 Ulqin-Sukubinë të parashikohet mundësia e ndërtimit të aktiviteteve të shërbimit dhe atyre prodhuese.
  10. Të punohet ZUGJ (Zgjidhja Urbanistike Gjenerale) për Katërkollën.
  11. Në zonën prej hotel “Albatrosit” deri tek Kepi i Gjeranave të parashikohet struktura me densitet të ulët.
  12. Duke u nisur nga rëndësia e konceptit të zhvillimit të Plazhit të Madh të përcaktuar nga Master Plani i Zhvillimit të Turizmit, i cili është implementuar në PH MZ, Kuvendi i Komunës së Ulqinit kërkon që ky koncept zhvillimi i Plazhit të Madh të qëndrojë edhe në PHU-në e Ulqinit deri në vitin 2020.
  13. Bartësit e punimit të tekstit final të Projekt Planit ta dorëzojnë në Kuvend Komunal të Ulqinit për dhënie të mendimeve, përpara dorëzimit në Ministri për miratim final.