Mesha lamtumirëse e P. Mirash Marinaj

0

Misionarët françeskan në trevën e Malësisë, kanë lënë gjurmë të thellë  në periudha  dhe rrethana të  ndryshme, shpeshherë  mjaft të vështira por gjithherë me përkushtim afër besimtarëve të vet. Këtë e dëshmojnë vepra të shumta, autor të të cilave janë pothuajse të gjithë meshtarët të cilët kanë shërbyer në këto treva. Edhe pse pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të ardhur nga treva dhe vende tjera, ata me të njëjtin përkushtim kanë vepruar, jo vetëm në pasurimin e jetës shpirtërore  por edhe në afirmimin e vlerave të njohura nëpër shekuj në këto hapësira, duke i kultivuar dhe afirmuar ato me punën e vet të përgjithshme.  Ata, po ashtu, me afërsinë e vet me besimtarët, me butësinë dhe dashamirësinë e vet  për njerëzit e këtushëm, e kanë dëshmuar  se e duan vendin  ku veprojnë si misionar,  njerëzit dhe vlerat e  tyre  të përgjithshme njerëzore, kombëtare dhe shpirtërore. E bëra këtë hyrje pas një meshe lamtumirëse të Pater Mirash Marinaj, në Kishën e Zojës Rruzare, në Triesh, më 12 korrik, i cili pas dymbëdhjetë  viteve  shërbese  në këtë famulli, misionin meshtarak  do ta vazhdoj në shenjtoren e Laçit , në Shqipëri.

Fjalët e tij falënderuese  për besimtarët e këtushëm, ishin sa të zgjedhura po aq emocionuese pasi që gjatë kësaj periudhe, Marinaj, ka bashkëpunuar në projekte të ndryshme  me besimtarët trieshjanë të cilët e pritën duar hapur atë, pas vdekjes së meshtarit shumë vjeçar të kësaj famullie, P.Zef Jankaj.  Marinaj, duke falënderuar besimtarët për çaste aq të bukura gjithë këtyre viteve, mes tjerash tha se edhe pse vinte nga një trevë e Malësisë, ai si fëmi   kishte marrë rrugët e shkollimit por me ardhjen  në këtë vend, mësoi shumë për jetën e malësorëve, për historinë dhe virtytet  njerëzore të tyre. “Këtu e njoha malësorin e vërtet, besnik dhe të përkushtuar  virtyteve më të larta njerëzore, kombëtare e fetare”, tha Marinaj.

Besimtarët e pranishëm  në këtë meshë shenjte, të moshave të ndryshme,  po ashtu, me mjaft emocione e përcjellën meshën lamtumirëse të tij duke e dëshmuar kështu respektin ndaj këtij meshtari të devotshëm të kësaj famullie. Plaku, gati nëntëdhjetëvjeçar, Zef Gjergj Lucaj, e falënderoi meshtarin Marinaj për gjithçka që veproi  në këto 12 vite të shërbimit të tij meshtarak  në këtë trevë  dhe i uroi atij shëndet dhe suksese të mëtejme  në kryerjen e misionit të shenjtë të meshtarit. Të rikujtojmë se Marinaj, u emërua famullitar i kësaj famullie para dymbëdhjetë  viteve dhe gjatë kësaj periudhe, mes tjerash, ka botuar librin “Krijimtari gojore”, të paraardhësit të tij P.Zef Jankaj, pastaj veprat e shqipëruesit të “Biblës”,  monsinjor Dom Simon Filipaj, i cili po ashtu ka shërbyer një kohë të gjatë si meshtar i kësaj famullie.

Marinaj, në bashkëpunim me disa trieshjanë të tjerë, ishe organizator i simpoziumit shkencor  me rastin e 250 vjetorit të Famullisë së Trieshit, ( 2013), në përgatitjen e të cilit udhëtoi edhe në SHBA, për të takuar mërgimtarët nga kjo famulli dhe të cilët e ndihmuan maksimalisht në shënimin e këtij jubileu të rëndësishëm, jo vetëm për Trieshin por edhe më gjerë. Ai, ishte ndër organizatorët kryesor për ndërtimin e Kryqit në fshatin Delaj, përball kanionit të mrekullueshëm të lumit Cem dhe gjithnjë përkrahës i nismave dhe angazhimeve të rinisë së këtushme trieshjane.

Marinaj, po ashtu,  disa vite ishte priori i misionit Françeskan në Malësi. Urojmë që misionin e shenjtë meshtarak ta vazhdoj me sukses edhe në mjedise tjera ku të jetë  i nevojshëm veprimi i tij në misionin për të cilin është përcaktuar.

 

Kristjan Gj. Dukaj

 

Marinaj1