Merr flakë trageti afër Vlorës

0

Një operacien i gjerë nisi për shpëtimin e 411 pasagjerëve të tragetit “Norman Atlantic”, i cili u përfshi nga flakët rreth 15 milje larg ishullit të Sazanit. Pasagjerët dhanë alarmin në mediat greke dhe ato italiane, ndërsa autoritetet nisën të dërgojnë ndihmat e para. Disa nga pasagjerët thanë se nëse nuk do të digjen, ata do të vdesin nga të ftohtët. Varkat e shpëtimit janë djegur gjithashtu.

Zjarri ra në garazhin e tragetit, për shkaqe ende të paqarta. Ai nisi të përhapej me shpejtësi në pjesë të tjera. 268 prej pasagjerëve janë grekë. Ndërsa ekuipazhi përbëhet nga 56 persona, 34 grekë dhe 22 italianë. Trageti që mban flamurin italian ishte nisur nga Igumenica dhe kishte destinacion Ankonën.

Porti Detar i Vlorës e mori njoftimin rreth orës 7:05 për shpërthimin e flakëve. Për shkak të detit të trazuar, asnjë nga anijet në port nuk mundi të dalë në det për t’i shkuar në ndihmë. Deti ishte 7 -8 ballë. Ndihma e parë është afruar nga anija konteniere Spirit of Pireas dhe Cruise Europa që gjendeshin në Adriatik. Sipas Corriere della Sera, trageti ndodhet 22 kilometra larg portit të Vlorës, në ujërat territoriale greke. Gazeta italiane shkruan se 170 persona kanë mundur të largohen duke përdorur varkat e shpëtimit dhe janë nxjerrë në tokë nga një traget grek që gjendej në zonë. 50 prej tyre janë gra e fëmijë. Kapiteni i tragetit ka deklaruar për autoritetet se mjeti lundrues është i pamanovrueshëm dhe se po afrohet drejt brigjeve shqiptare.

Autoritetet shqiptare bëjnë të ditur se në tragetin “Norman Atlantic” udhëtonin 22 shtetas me pasaportë shqiptare. Por sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, numri i shqiptarëve në anije mund të jetë edhe më i madh, pasi mund të jenë të pajisur me pasaporta të shteteve fqinje.