Melbourne, qyteti më i mirë për të jetuar

0

Qyteti australian, Melbourne, për të pestin vit radhazi është zgjedhur si qyteti më i dëshirueshëm në botë për të jetuar, sipas anketës së shoqatës Economist Intelligence Unit (EIU).

Melbourne edhe këtë vit është në krye të listës së qyteteve më të mira për të jetuar me 97,5 pikë.

Hulumtimi i EIU-së rendit qytetet në mbarë botën në bazë të dëshirës për të jetuar nga aspekti i stabilitetit, shëndetësisë, kulturës, mjedisit, arsimit dhe infrastrukturës. Melbourne është në top-renditjen në bazë të 30 kritereve.

Në këtë hulumtim janë përfshirë 140 qytete, ndërsa në vendin e dytë radhitet kryeqyteti austriak, Vjena me 97.4 pikë, në vendin e tretë radhitet qyteti kanadez Vankuver me 97.3 pikë.

Sulmet terroriste në 12 muajt e fundit në Francë dhe Tunizi, si dhe në Lindjen e Mesme dhe konfliktet në Ukrainë, Libi kanë ndikuar në pozicionimin e qyteteve të këtyre vende në rangimin për qytet më të mirë për të jetuar. Kështu, Damasku sirian për shkak të luftës, e cila zgjat për më shumë se katër vjet në këtë vend, gjendet në vendin e fundit në listë.

Në mesin e pesë qyteteve më të mira për të jetuar në botë janë: Melbourne, Vjena, Vancouver, Toronto, kurse pozitën e pestë e ndajnë qyteti Australian Adelaide dhe ai kanadez Calgary.

Në pesë vendet e fundit në listë ndodhen: Tripoli libian, Lagos në Nigeri, Port Moresby të Guineas së Re, pastaj Dhaka në Bangladesh dhe Damasku i Sirisë.