Meka: Mbi 700 persona humbin jetën gjatë haxhit. Në mes tyre nuk ka shqiptarë

0

Mbi 717 të vdekur dhe mbi 800 të plagosur është bilanci tragjik i pelegrinazhit të haxhit në afërsi të qytetit të shenjtë të Mekës në Arabinë Saudite, raporton Ora News.

Ngjarja ka ndodhur në Mina, rreth 5 km nga Meka, ku 2 milionë besimtarë po kryenin ritin e fundit të madh të haxhit.

Aksidenti i rëndë ndodhi teksa miliona njerëz po hidhnin gurë në shtyllat që përfaqësojnë djallin.

Drejtoria e Mbrojtjes Civile njoftoi se ne vendin e ngjarjes është dërguar nëj personel ndihme prej 4 mijë personash bashkë me 220 të tjerë pjesë e ekipeve të  emergjencës dhe shpëtimit. Të plagosurit janë dërguar në katër spitalet e zonës.

Nuk është ende e qartë se çfarë shkaktoi këtë kaos tragjik, por ajo që dihet është se ngjarje të tilla ndodhin shpesh në këtë festë të besimtarëve myslimanë.

Më e fundit është ajo e ndodhur në xhaminë më të madhe të Mekës këtë muaj, ku një vinç u rrëzua duke lënë të vdekur 109 persona.

Në vitin 2006, 364 vetë u vranë gjatë ritualit të gurëve. Që prej asaj kohe autoritetet saudite kanë punuar në përmirësimin e transportit dhe infrastrukturën për të parandaluar incidente të tilla.

Ilir Hoxholli, kryetari i Komitetit Shtetëror të Shqipërisë për Kultet nga qyteti i shenjtë i Mekës qetëson të gjithë shqiptarët të afërmit e të cilëve kanë shkuar për haxhillëk në Mekë.

Në një intervistë telefonike për Ora News Hoxholli deklaroi: “E gjithë rruga e përshkruar nga shqiptarët nuk ka të bëjë fare me trajektoren ku ka ndodhur tragjedia. Ata kanë respektuar të gjithë itenerarin dhe janë shëndosh e mirë”

Në Mekë janë 400 haxhinj shqiptarë, nga këta 80 janë shqitparë dhe boshnjakë nga Mali i Zi, 320 janë shqiptarë të Shqipërisë.