Medojeviq: Ulqini e Tuzi do të jenë pjesë të Malit të Zi

0

Lideri i Lëvizjes për Ndryshime në Mal të Zi, Nebojsha Medojeviq, ka polemizuar me liderin e Listës për Shqipërinë Natyrore, Koço Danaj.

Ai ka thënë se me Danajn është i gatshëm të bisedojë për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zu, por kurrsesi për integritetin territorial të Malit të Zi.

“E vetmja çështje për të cilën nuk mund të bisedohet është integriteti territorial i Malit të Zi dhe rendi demokratik e qytetar i tij”, ka thënë Medojeviq, duke përgjigjur një letre publike të Danajt drejtuar Kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviq, nëpërmjet së cilës kërkon që shqiptarëve t’u kthehen territoret e tyre.

“Ulqini dhe Tuzi do të jenë pjesë të Malit të Zi, kurse me shqiptarët do të zhvillojmë dialog për çështjen shqiptare dhe do të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme e të pranueshme”, ka theksuar Medojeviq.

“Ky është një rast i shkëlqyeshëm që kolegëtr e mi, liderët e shqiptarëve në Mal të Zi, të thotë publikisht se Ulqini nuk duhet t’i bashkangjitet ‘Shqipërisë etnike’”, ka shtuar ai.

Por, lideri i Lëvizjes për Ndryshime ka pohuar se çështja e shqiptarëve në Mal të Zi vazhdon të jete e hapur.

“Se çështja shqiptare në Mal të Zi është e hapur e kam kuptuar për herë të parë nga deputeti dhe njëri ndër liderët autentikë të shqiptarëve në mal të Zi, Mehmet Bardhi. Ai më ka shpjeguar në mënyrë shumë precize se shqiptarët në Mal të Zi kurrë në histori nuk kanë nënshkruar kurrfarë dokumenti me shtetin malazez dhe me popullin malazez, si popull shumicë, për pozitën e shqiptarëve dhe për njohjen e integritetrit territorial të Malit të Zi”, është shprehur Medojeviq.

“Unë e kam kuptuar se kemi probleme të mëdha kur asnjëri prej deputetëve të partive politike shqiptare në Kuvend, Vesel Sinishtaj, Mehmet Bardhi e Ferhat Dinosha, nuk kishin votuar për Kushtetutën e parë të shtetit të pavarur të Malit të Zi”, ka shtuar ai.

Nebojsha Medojeviq e ka shfrytëzuar rastin që të kritikojë pushtetin aktual të Malit të Zi për qasjen ndaj komuniteteve pakicë dhe ndaj çështjeve të hapura me vendet fqinje.