Mbrëmë u çel edicioni i 25-të i manifestimit “Kalimera Poetike” me takimin letrar me shkrimtarin Bashkim Shehu

0

Në sheshin pranë Muzeut Arkeologjik në Kalanë e Ulqinit, mbrëmë u çel Festivali artistik “Kalimera Poetike”, i cili plot 25 vjet radhazi ka shërbyer si vatër për grumbullimin e shkrimtarëve dhe artistëve më të mëdhenj shqiptarë të trevave të ndryshme dhe artistëve të tjerë nga rajoni.

Pas fjalës përshëndetëse të kryetarit të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, të pranishmit kishin mundësi të ndjekin filmin dokumentar, i cili në përbërjen e vet shpalosi në pika të shkurtra ngjizjen e këtij manifestimi, hapat e parë, rrugëtimin e tij ndër vite, synimet e tij, duke kujtuar njëherit edhe shkrimtarët e artistët e tjerë që ndër vite kanë shkelur gurin e shenjtë të kësaj skene.

Në vazhdim u mbajt takimi letrar me shkrimtarin e mirënjohur shqiptar Bashkim Shehu. Një vështrim mbi veprimtarinë letrare të këtij autori e përcolli publicisti dhe përkthyesi Ben Andoni, ndërsa takimin e moderoi dr. Basri Çapriqi. Në bashkëbisedim më së shumti iu kushtua vëmendje temës së diktaturës, që është goxha e theksuar në krijimtarinë artistike të Shehut, duke ditur se ai përbën një autor të rëndësishëm të asaj që sot studiuesit e quajnë letërsi të kujtesës. Vlen të përmendet se viti 2017 në Shqipëri është shpallur si Viti i Kujtesës, ku përgjatë gjithë vitit do të organizohen aktivitete që kanë të bëjnë me letërsinë e kujtesës, me periudhën e diktaturës, vuajtjet që kanë përjetuar shkrimtarët e dënuar nga regjimi i atëhershëm e ngjashëm. Prandaj, mund të thuhet se edhe edicioni i sivjetshëm i “Kalimerës Poetike” i bashkohet kësaj  rrjedhe.

Gjatë mbrëmjes, për çlodhje të shkurtër shërbyen tingujt e këndshëm të violinës dhe kitarës të pedagogëve nga Shkodra, Anton Kaftalli dhe Ares Fani.

“Kalimera Poetike” edhe gjatë dy netëve në vazhdim do të vijojë të tubojë artistë dhe të përçojë rëndësinë e artit dhe magjinë e fjalës së bukur.

Ju kujtojmë që sonte do të keni mundësi të ndiqni ekspozitën figurative “Red Essence” të piktores Majlinda Kelmendi, që do të hapet në orën 21.00, në Galerinë “Kulla e Balshajve”, ndërsa më pas, në orën 21:30, do të vijohet me mbrëmjen autoriale kushtuar akademikut Zuvdija Hoxhiq (Berisha).

 

Ulqin, më 03. 08. 2017