Marrëveshja Forca – PDS: Marina, tenderi për Plazh të Madh, Valdanosi…

0

Në marrëveshjen e nënshkruar sot në mes Forcës dhe PDS-së, janë dakorduar çështje vitale për ekonominë dhe zhvillimin turistik të Ulqinit.

Ndër to, vlen të përmendet neni 2 i marrëveshjes i cili parasheh përgatitjen e një propozimi të përbashkët për zgjidhjen e ligjshme të pronësisë së Valdanosit, duke respektuar interesat e shtetit, Komunës së Ulqinit dhe pronarëve të ullinjve.

Palët kanë rënë dakord që kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë të pranueshme dhe përfundimtare për të gjithë anët e përfshira.

Këtu parashihet edhe valorizimi turistik i kodrës Mendra.

Poashtu mjaft domethënës është edhe dakordimi për shpalljen e tenderit i cili do të mundësonte dhënien me qira të një pjese të Plazhit të Madh, me qëllim ndërtimin e hoteleve të klasit të lartë. Nëse kjo kryhet sipas kushteve të parapara në marrëveshje, domethënë të shpallet tenderi në vjeshtë, atëherë shumë shpejt Ulqini mund të ketë interesimin e investitorëve serioz.

Gjithashtu edhe ndërtimi i marinës, qoftë poshtë Kalasë qoftë në Port Milenë, do ta vendoste Ulqinin në hartat nautike të mediteranit, duke i dhënë turizmit një dimenzion që Ulqini deri tani nuk e ka pasur.

Zv.kryeministri Markoviq, në intervistën e vet për TV Teuta, shprehu siguri në respektimin jo vetëm të pikave të marrëveshjes por edhe të afateve të caktuara në të.