Mali i Zi do të burgosë luftëtarët që u bashkohen luftrave të huaja

0

Ligjebërësit në Mal të Zi po marrin hapa në përgjigje të raporteve për muslimanët e Ballkanit që luftojnë në Lindjen e Mesme.

Zoran Miljaniç, një anëtar i parlamentit nga Fronti Demokratik i opozitës, propozoi një amendament për kodin penal që kërkon “që çdokush që ofron trajnim, ndjek trajnime, financon dhe rekruton shtetas nga Mali i Zi për udhëtime në fushat e huaja të luftimit si pjesë e organizatave paraushtarake e terroriste, të ndëshkohet me dënim me burg.”

“Të gjitha vendet në rajon kanë ligje të ngjashme,” i tha Miljaniç SETimes. “Ata që shkojnë në luftra do të dënohen me burg deri në pesë vjet dhe ata që rekrutojnë luftëtarë do të dënohen nga pesë deri në dhjetë vjet. Njerëzit që kthehen nga lufta janë bomba me sahat për vendin tonë. Ky është tani një aksion global dhe gjithsecili duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë dhe të përpiqet të bëjë diçka.”

Ekspertët thanë se ligji është i rëndësishëm, sepse për disa vjet shtetasit e Malit të Zi kanë marrë pjesë në luftrat e huaja. “Shërbimi i Fshehtë ka një regjistrim të saktë të personave të tillë. Gjithkush që merr pjesë në këtë punë duhet të ndëshkohet me ligj,” i tha SETimes.Aleksandar Dedoviç, drejtor ekzekutiv i Qendrës Alfa, një OJQ e fokusuar në çështje të sigurisë. “Përveç parave që një luftëtar ka fituar, ai sjell gjithashtu përvojën e ideologjinë e luftës në vendin tonë. Kjo është shumë e rrezikshme. Mali i Zi është një vend i vogël. Unë mendoj se kjo është një nga arsyet që ligji të jetë efektiv dhe i zbatueshëm në praktikë.”

Sipas raporteve të medies dhe agjencisë së sigurisë kombëtare, disa qindra anëtarë të lëvizjes Vahabi jetojnë në Malin e Zi. Zyrtarët nga agjencia thanë se islamistët radikalë janë financuar nga bamirësi të ndryshme.

Media në Malin e Zi raportoi në mes të korrikut se policia e fshehtë e vendit kreu vëzhgime dhe policia ishte e autorizuar të regjistronte telefonat e ekstremistëve të dyshuar muslimanë.

Në 30 shtator, komiteti i sigurisë parlamentare i kërkoi zyrtarisht agjencisë së sigurisë kombëtare të vazhdonte monitorimin e grupeve të ekstremizmit dhe radikalizmit fetar.

Mevludin Nuhoxhiç, kryetar i komitetit, tha se autoritetet duhet të jenë më efektive në kundërvënien e grupeve ekstreme islamike në Malin e Zi, duke shtuar se veprimi kundër Vahabizmit radikal duhet të përfshijë cilindo, nga familjet te media.

“Askush nuk mund të shkelë ligjin duke u fshehur pas fesë,” tha Nuhoxhiç.

“Nga tetori 2012 deri tani, kanë qenë 13 shtetas të Malit të Zi që luftuan në Siri. Dhjetë nga ata u kthyen, një u vra dhe dy të tjerë janë ende në luftë. Gjithashtu në luftë në Ukrainë kemi dy shtetas nga Mali i Zi. Partia qeverisëse do të mbështesë përfundimisht ligjin e ri për ta ndëshkuar këtë,” tha ai.

Sipas raportit më të fundit të CIA-s që lëshoi departamenti i shtetit i SHBA në 25 shtator, rreth 30 vullnetarë nga Mali i Zi po luftojnë për militantët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit në Irak dhe Siri. Raporti thoshte gjithashtu se disa qindra xhihadistë nga një numër vendesh të Ballkanit i janë bashkuar grupit esktremist në Lindjen e Mesme.

Bosnje dhe Herzegovina (BiH), Kosova dhe Shqipëria janë trevat rekrutuese në Ballkan për islamistët radikalë. Më shumë se 350 luftëtarë janë nga BiH, 150 nga Kosova, 140 nga Shqipëria dhe 20 nga Maqedonia.