Malazezët në fushatë për të revokuar çmimin letrar dhënë Karaxhiçit

0

Një grup aktivistësh të udhëhequr nga shkrimtari malazez Ibrahim Cikiç, një ish i burgosur politik boshnjak, ka nisur një peticion për të revokuar një çmim letrar që i është dhënë të dënuarit për krime lufte Radovan Karaxhiç në Mal të Zi në vitin 1993.
Aktivistët thanë se jeta dhe puna e Karaxhiçit nuk korrespondojnë me qëllimet artistike dhe humaniste të çmimit.
Karaxhiç mori çmimin “Risto Ratkoviç”, një nga çmimet më të rëndësishme të Malit të Zi në letërsi, për librin e tij “Vizitori sllav”.
Ky çmim u dha nga juria e eventit të përvitshëm “Mbrëmjet e poezisë së Ratkoviçit” në gusht 1993, të mbajtur në nder të poetit malazez Risto Ratkoviç në qytetin Bijelo Polje.
Karaxhiç u shpall fajtor në mars të këtij viti për gjenocid kundër boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, terrorizim të popullsisë civile të Sarajevës, përndjekje të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë vendin dhe marrje peng paqeruajtësve të OKB-së. Ai u dënua me 40 vjet burg.
Në një letër të hapur kryetarit të komunës së Bijelo Poljes Aleksandër Zruiç të hënën, Cikiç i bëri thirrje këshillit të komunës të shfuqizojë vendimin dhe të heqë atë që e quajti një vendim “të turpshëm” mbi bazën e tolerancës ndër fetare, bashkëjetesës dhe paqes në Mal të Zi.
Ai tha se peticioni tashmë është nënshkruar nga qindra qytetarë me prejardhje të ndryshme kulturore dhe fetare nga Bijelo Polje, Mal i Zi, nga rajoni më i gjerë i Ballkanit dhe pjesa tjetër e Europës.
“Edhe pse firma juaj s’është në peticion, ne besojmë se ju do t’i njihni qëllimet tona të mira dhe do të përdorin pushtetin e autoritetit tuaj për të na ndihmuar të fshijmë emrin e një krimineli të vërtetuar nga lista e laureatëve të çmimit Ratkoviç,” tha Cikiç në letrën drejtuar kryetarit të komunës së Bijelo Poljes.
Në përgjigje të letrës, Zuriç tha për mediat vendase se “dhënia ose heqja e çmimeve letrare” nuk ishte në juridiksionin e tij, por tha se ai do ta mendonte këtë nismë.
Cikiç ishte një nga 20 anëtarët kryesorë të Partisë Boshnjake për Veprimi Demokratik të Malit të Zi, i cili në vitin 1994 u fut në burg pasi u dënua për komplotimin e një konflikti të armatosur në rajonin e Sanxhakut verior. Megjithatë, ai këmbënguli se akuza ishte e motivuar politikisht.
Vendimi për t’i dhënë çmim Karaxhiçit u kritikua në atë kohë, kur disa aktivistë dhe poetë thanë se aiu iu dha “presidentit të një shteti etnikisht të spastruar”.
Poeti i famshëm malazez Jevrem Brkoviç tha në atë kohë se Karaxhiç ishte një “poet i vogël” dhe i bëri thirrje laureatëve të tjerë t’ia kthejnë çmimet e tyre komunës së Bijelo Poljes.