Malazezët e Kosovës përkrahin ardhjen e Thaçit

0

Shoqata e Malazezëve të Kosovës përkrahe vizitën e Zëvendës Kryeministrit dhe Ministrit te Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, që do të zhvillohet me 15 dhe 16 janar në Mal të Zi, shkruan portali CdM.

“Si një shoqatë e cila përbëhet nga një numër i konsiderueshëm i të kthyerve, të cilët tani jetojnë dhe punojnë në Kosovë, ne mund të kuptojmë vuajtjet dhe problemet e personave të zhvendosur në Mal të Zi, por edhe zgjidhje për problemet dhe çështjet tona dhe të zhvendosurve mund te zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit dhe dialogut. Prandaj, ne jemi të bindur se vizita e Zëvendës Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, si dhe bisedimeve të tij në nivel më të lartë do të kontribojnë për të përmirësuar më tej marrëdhëniet e mira fqinjësore ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, për të krijuar kushte më të mira për kthim të qëndrueshëm dhe të çojë në zgjidhjen përfundimtare të statusit tonë kushtetues dhe ligjor dhe përfaqësimin adekuat në Kuvend te Kosoves, si dhe zhvillimin e një strategjie për afirmimin e komunitetit malazez në të cilin insiston shoqata jonë, ” – thuhet në deklaratën e nënshkruar nga kryetari i shoqatës Slobodan M. Vujiçiq.

 

“Mali i Zi gjithmonë ka qenë një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, dhe me nënshkrimin  e marrëveshjes së Brukselit edhe Kosova po tregon sinjale të njëjta” – thuhet në mes të tjerash në deklaratë.

Kjo ka ngjallur reagime të ashpra në rrjetet sociale serbe dhe malazeze, ku nuk mungojne edhe fyerjet për përfaqsuesit e kësaj shoqate, duke i quajtur tradhtarë, të shitur etj.