Lunacek: Ja cila është formula për Kosovën dhe Serbinë

0

Që nga janari i këtij viti, Prishtina dhe Beogradi nuk kanë zhvilluar takime në nivelet e larta politike në Bruksel, në kuadër të dialogut që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Është kjo një nga pauzat më të gjata të dialogut në nivelin e kryeministrave, që sipas qëndrimeve të zyrtarëve në Bruksel, ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve e më pas edhe konstituimine qeverisë së re të Serbisë.
Zyra e kryeministrit në Kosovë nuk ka mundur të konfirmojnë ndonjë afat kohor për vazhdimin e negociatave, ndërkohë që shefi i kabinetit, Sokol Havolli, i tha Radios Evropa e Lirë se “ deri më tani , këto çështje kanë shkuar në koordinim me Bashkimin Evropian”.
Ai tha se “përderisa nuk kemi ftesë, nuk mund të themi se kur do të ketë vazhdim”
Por, ekspertë të kësaj fushë në Kosovë,konsiderojnë se dialogu ka hasur në vështirësi të mëdha, si në aspektin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, po ashtu edhe në aspektin e zhvillimeve politike në Kosovë dhe Serbi.

Lunacek: BE-ja nuk do përsëritjen e Qipros
Deputetja austriake në Parlamentin Evropian dhe njëkohësisht edhe raportuese për Kosovën, Ulrike Lunacek, i tha Radios Evropa e Lirë, se projekti paqesor evropian nuk do të përfundojë deri sa të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të mos bëhen anëtare të BE-së.
“Serbia është e vetëdijshme se, pas rastit të Qipros, BE-ja nuk do në anëtarësinë e saj të pranojë asnjë shtet, kufijtë e të cilit nuk janë qartë të përkufizuar, prandaj jam optimiste se procesi i dialogut do të ndihmojë Serbinë të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, dhe kjo do të thotë që ta pranojë”, tha Lunacek për Radion Evropa e Lirë.