Lulgjuraj: Ky regjim është mashtrues dhe antishqiptar

0

Ish deputeti shqiptar në kuvendin e Malit të Zi , Lek Lulgjuraj, ka akuzuar regjimin e tanishëm për mashtrime të vazhdueshme ndaj shqiptarëve, dhe se për këtë lojë të pistë po shfrytëzon edhe disa organizata gjoja shqiptare të diasporës, shkruan gazeta “Dan” që i referohet websajtit nga Shqipëria “Opozita”.

Lulgjuraj, i cili ishte edhe një nga themeluesit e LD në MZ, tani jeton në Detroit.

Ai thotë se protestat që u organizuan me rastin e vizitës së kryeministrit Gjukanoviq në Amerikë, nuk u shkuan për shtat as atij as Krivokapiqit.  Nëpërmjet ambasadorit Srdjan Darmanoviq dhe disa lobistëve pranë kongresmenit Eliot Engëll, u organizua pritje për Gjukanoviqin fill pas protestave dhe takimit të tij me zv. presidentin Bajden, thotë Lulgjuraj.

Sipas tij, qëllimi i këtij takimi dhe i atij me Krivokapiqin më vonë, ishte relaksimi i situatës së tensionuar dhe rikthimi i bashkëpunimit ndërmjet diasporës shqiptare dhe qeverisë, bashkëpunim që solli edhe pavarsinë e Malit të Zi.

Këto bisedime, thotë ai, kanë qenë sekrete dhe si shpërblim shqiptarëve u është premtuar financimi nga qeveria e gazetës “Koha Javore”.

Organizata shqiptare “Malësia e madhe” nga Miçigeni, kishte planifikuar protesta edhe me 5 shkurt me rastin e Mëngjesit të Lutjeve dhe vizitës së delegacionit nga Mali i Zi, por organizatat nga Njujorku nuk pranuan, shkruan më tej portali “Opozita”.

Aludohet se shkak i këtij mospajtimi janë bisedimet sekrete dhe premtimet e zyrtarëve të Malit të Zi ndaj diasporës, por për Lulgjuraj këto nuk janë kurrgjë tjetër veç mashtrime të një qeverie terësisht antishqiptare.