Kosovë, Ymeri: Qeveria po rrezikon Trepçën

0

Kryetari dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, përmes një konference për media, kritikoi Qeverinë për mungesë të planifikimit strategjik në zhvillimin ekonomik. Si rrjedhojë, Ymeri tha se po rrezikohet Trepça, duke lënë resurset tona dhe kapacitetet industriale në stihinë e tregut.
Ymeri tha se mungesa e guximit drejtues nga ana e ekzekutivit është shkak që Trepça vazhdon të mbetet peng, ndërsa në njërën anë mbeti pa investime e rritje të kapacitet prodhues, e në tjetrën është nën kërcënimin për tjetërsim e ndarje nga Serbia por dhe likuidim e zhbërje nga AKP-ja.
Ai e ka quajtur Trepçën motor të zhvillimit industrial.
Tutje, ai shtoi se Qeveria në janar të vitit 2015 premtonte se do ta sillte strategjinë dhe ligjin e veçantë për Trepçën në gjysmën e parë të vitit, kurse në gusht e sollën ‘Zajednicën’ dhe kufirin e ri me Malin e Zi.
Ai theksoi se nëse është e vërtetë që ligji do të vijë shpejtë në Kuvend, atëherë ai do të duhej të ishte i shkruar deri tash. Dhe nëse është kështu, ai tha se mbetet enigmatike se pse nuk flet qeveria për përmbajtjen e tij.
Ymeri theksoi rëndësinë e aktivizimit të metalurgjisë dhe kapaciteteve përpunues të metaleve, gjë që do të shtonte kapacitetin prodhues industrial industrisë minerare nxjerrëse. Si dhe aktivizimin e industrisë kimike për prodhimin e plehrave artificial dhe kimikateve të tjera për ta lidhur me nevojat e zhvillimit të sektorit të bujqësisë.