Kosovë – Ymeri: Anulimi i Demarkacionit shmang luftën

0

Cenimi i integritetit territorial mund të prodhojë tensione të vazhdueshme në rajon, ka deklaruar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, marrëveshja aktuale për Demarkacionin duhet të hidhet poshtë.
“Shmangia e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, natyrisht që është shmangie e luftës”, ka thënë Ymeri.
Në këtë intervistë, Ymeri akuzon Policinë e Kosovës për inskenim dhe montim të rastit të arrestimit të gjashtë aktivistëve të saj, nën dyshimet për sulm ndaj Kuvendit dhe e përjashton mundësinë që gjësendet dhe mjetet ilegale të zbuluara nga policia në një depo në Prishtinë, i përkasin Vetëvendosjes.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ymeri, Lëvizja Vetëvendosje këto ditë doli me një propozim pesë pikësh në lidhje me çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Sa ofron zgjidhje ky propozim dhe a e keni diskutuar atë me pjesën tjetër të spektrit politik?

Visar Ymeri: Propozimi që e kemi bërë rreth pesë hapave që duhet të ndërmerren është rruga e vetme përpara, për sa i përket kësaj marrëveshje të Demarkacionit që e ka sjellë Qeveria e Kosovës. Ne kemi menduar që është e domosdoshme që kjo marrëveshje të hidhet poshtë. Pra, të rishqyrtohet dhe të përmirësohet sikurse metoda e përdorur, ashtu edhe përmbajtja tjetër e marrëveshjes, e veçanërisht konkluzat e saj.
Duhet ta kemi parasysh që Komisioni shtetëror ka qenë mandatar që ta shënjojë vijën kufitare, ndërkohë që ky Komision ka vendosur një kufi të ri, i cili e dëmton Kosovën për 8 mijë e 200 hektarë dhe natyrisht që kjo nuk është e pranueshme dhe as që mund të procedohet tutje në institucionet e Kosovës. Ndërkohë, në pesë pikëshin e propozuar nga ne shprehet qartë interesimi i Kosovës që ta shënjojë vijën kufitare me Malin e Zi, natyrisht duke mos e dëmtuar as integritetin territorial të Malit të Zi dhe as integritetin territorial të Kosovës.
Kjo është e arritshme dhe duhet të jetë e arritshme, sepse shtetet, e në veçanti ato që kanë fqinjësi njëra me tjetrën dhe që synojnë marrëdhënie të mira, siç i ka Kosova me Malin e Zi, duhet që këto marrëdhënie t’i ndërtojnë mbi bazën e reciprocitetit dhe respektimit të ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial. Aq më tepër, që këto marrëveshje, në veçanti ajo për kufirin, të bëhet mbi bazën e parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare Publike, gjë që nuk ka ndodhur me rastin e Republikës së Kosovës.