Kosovë: Haradinaj kundërshton demarkacionin me Malin e Zi

0

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka braktisur në mënyrë demonstrative mbledhjen e Komisionit për punët e jashtme, ku po raportohej për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Teksa kryetari i komisionit për përcaktimin e kufirit, Murat Meha po raportonte para deputetëve se procesi po bëhet sipas hartave legale të mëparshme dhe ku, sipas tij, Kosova nuk po humb territor, Haradinaj reagoi duke akuzuar Mehën për mashtrim.

Haradinaj e pyeti zotin Meha se, kush e paguan, Kosova apo Mali i Zi?  Haradinaj tha se, nuk do të lejojë që ky proces të vijojë kështu, ndërsa doli nga mbledhja duke i quajtur raportuesit e komisionit për demarkacion si mashtrues.

Gjatë raportimit të anëtarëve të komisionit të posaçëm u tha se së shpejti marrëveshja për demarkacion do të përfundojë dhe ajo duhet të miratohet nga Parlamentet e dy vendeve.

Kryetari Meha po ashtu tha se, së shpejti do të përfundojnë edhe demarkacioni i kufirit Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi, që po ashtu duhet të miratohet nga tri Parlamenet e vendeve përkatëse.

 

/top channel/