Kosova regjistroi mbi 400 mijë qytetarë nga diaspora

0

Rreth 400 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës. Këto shifra janë evidentuar nga procesi i regjistrimit të diasporës, proces ky i filluar në vitin 2013.
Qëllimi i regjistrimit është evidentimi i numrit të saktë të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës, shtrirja e tyre gjeografike, struktura demografike në funksion të ruajtjes së identitetit kulturor, gjuhësor dhe arsimor.
Zyrtarë të Ministrisë së Diasporës, për Radion Evropa e Lirë, kanë treguar se procesi i regjistrimit aktiv të diasporës ka përfunduar, kurse regjistrimi pasiv do të vazhdojë edhe pesë vjetët e ardhshëm, periudhë kjo kur pritet që të bëhen publike të dhënat përfundimtare tëkëtij procesi.
Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Diasporës, Kushtrim Sheremeti, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ky proces, tashme është duke përfunduar. Ai tregon për procedurat e procesit të regjistrimit pasiv, i cili pritet të fillojë vitin e ardhshëm. Ky proces do të realizohet në ambasadat dhe konsullatat e Republikës së Kosovës në vendet e ndryshme të Evropës dhe botës.
Pjesë e këtij regjistrimi është çdo person që ka vendbanim apo vendqëndrim jashtë Republikës së Kosovës, që ka lindur ose ka prejardhje nga Kosova. Regjistrimi i diasporës është proces i duhur dhe i nevojshëm për të dhënat e tyre, thonë demografët, sipas të cilëve, autoritete kompetente janë duke e realizuar në nivel të duhur.
Në bazë të regjistrimit të deritashëm, vërehet se numri më i madh i qytetarëve të Kosovës jetojnë në shtetin e Gjermanisë, pasuar nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndryshe, sipas disa të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vlerësohet se janë rreth 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës.