Kosova nën “ombrellën” e huaj për Kartonin Jeshil

0

Mos anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është pengesa kryesore për anëtarësimin e saj në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër, si polisë ndërkombëtare e sigurimeve kufitare për shtetet e Evropës.
Për këtë, autoritetet kompetente kërkojnë nga ekzekutivi që të lobojnë tek ndonjë shtet anëtar i këtij Këshilli, që të marrë nën ombrellë Kartonin e Gjelbër të Kosovës. Kjo, sipas tyre, është alternativa e vetme për t’u anëtarësuar në këtë rrjet.
Kriteret tjera të kërkuara janë përmbushur, thotë për Radion Evropa e Lirë ushtruesi i detyrës se drejtorit të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës, Gani Thaçi, duke shtuar se byroja ka dëshmuar përkushtimin dhe seriozitetin për anëtarësim të Kosovës në këtë mekanizëm. Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).
Si mundësi e vetme për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove Evropiane është që Kosova të ketëKartonin e Gjelbër të ndonjë shteti tjetër, thotë edhe eksperti për këtë çështje, Ibish Mazreku. Ai për Radion Evropa e Lirë thotë se në këtë kuadër duhet të ekzistojë gatishmëria e të dy shteteve.
Sidoqoftë, deri tek anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Byrove të Evropës, të gjitha veturat me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Kosovës, sipas ligjeve në fuqi,duhet të paguajnë një shumë për tarifat e sigurimeve kufitare, varësisht nga lloji i automjetet dhe koha e qëndrimit në Kosovë. Të gjitha mjetet shkojnë në kompani private. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 10 milionë euro llogaritet të jetë vlera e grumbulluar vitin e kaluar nga tarifat e sigurimeve kufitare në Kosovë. Të gjitha këto mjete grumbullohen në Byronë e Sigurimeve të Kosovës, e më pas ato shpërndahen tek kompanitë e sigurimeve, kurse nga shuma e grumbulluar vetëm Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar derdhet në Buxhetin e Kosovës.