Kosova dhe Shqipëria drejt unifikimit të teksteve mësimore

0

Pas abetares, pritet që të nisë puna për unifikimin edhe të teksteve të historisë dhe të gjeografisë, në mënyrë që nxënësit e Shqipërisë dhe Kosovës të mësojnë me të njëjtat libra shkollorë.

Ministri kosovar i Arsimit, Asrim Bajrami thotë se ka ardhur koha që brezat e rinj të mësojnë historinë reale dhe unike të kombit.

“Ne do të donim që të kemi një histori të përbashkët, heronj e vlera të përbashkëta, sepse kemi kaluar nëpër sakrifica. Politika na ka ndarë për mbi 1 shekull. Gjeografia do të mësohet si gjeografi politike e Shqipërisë dhe Kosovës si e integruar, që njerëzit të dinë që jemi një komb, kemi një gjuhë, një origjinë dhe gjithashtu duhet ta njohim tërësisht njëri-tjetrin”, thotë Bajrami.

Por veç njehsimit të sistemit parauniversitar po punohet që edhe arsimi i lartë të jetë i njëjtë në Shqipëri e Kosovë, në mënyrë që të kryehet njehsimi i diplomave.

“Në nivel parauniversitar kemi nisur me tekste të përbashkëta. Pas abetares do të kemi tekstet e historisë, gjeografisë, lëndëve ekzakte etj. Edhe për shkollat profesionale po bëjmë tekste të përbashkëta, por më i rëndësishëm është programi i përbashkët i universiteteve, sepse të dyja shtetet janë në fazën e reformimit të arsimit të lartë”, nënvizon Bajrami.

Unifikimi i teksteve të lëndëve shoqërore mes Shqipërisë dhe Kosovës do të ndihmojë që nxënësit të ecin me të njëjtat hapa.

 

/top channel/