Komuna: Fonde për klube të dyshimta dhe heshtje mediatike

0

Dje në një portal privat të Ulqinit, doli një demant i Komunës së Ulqinit ku portali lajm.me akuzohet për keqinformim. Për ata që nuk janë në rrjedhën e ngjarjeve, bëhet fjalë për financimin nga ana e Komunës së Ulqinit të klubit sportiv “Karioke” nga Podgorica. Demanti nuk thirrej në asnjë zyrtar të Komunës dhe nuk ishte i nënshkruar nga askush.

Portali ynë ka informuar se komuna i ka paguar këtij klubi njëherë shumën prej 2500 euro, dhe më pas edhe 3000 euro tjera, pa kurrfarë arsyeje dhe sqarimi nga ana e zyrtarëve të Komunës. Është mjaft domethënës fakti që Komuna shfrytëzon një portal privat për shprehjen e qëndrimeve të veta, duke anashkaluar portalin e vet zyrtar dhe duke mos marrë as mundimin të organizojë një konferencë për media, ku mund të sqaronte arsyet e veprimeve të veta. Nuk ashtë e qartë akoma nëse Komuna, përveç klubeve jasht Ulqinit, merret edhe me financimin e portaleve private, duke nënvlersuar portalin e vet dhe keqpërdorur mjetet e taksapaguesve. Kjo do të sqarohet në të ardhmen.

Për hir të lexuesve na duhet të bëjmë qartësimin e të gjitha detajeve, në mënyrë që të arrihet informim sa më i saktë. Në portalin e lartpërmendur, Komuna nuk mohon pagesën e transhit të parë prej 2500 euro, por atë të dytin prej 3000. Ne si portal kishim informata për 3000 euro të tjera të paguara njërit prej klubeve, “Karioke” ose “Lecce”. Nuk e dinim se Komuna kishte lidhje kaq të ngushta me sportin e Podgoricës.

Portali ynë nuk ka dezinformuar, pasi është fakt i pademantueshëm që Komuna e ka bërë këtë donacion. Të intriguar edhe më tepër nga këto “donacione”, bëmë disa kërkime në këtë drejtim. Këto klube kanë përfituar fonde edhe nga qeveria, gjegjësisht Ministria për kulturë dhe sport, dhe atë shumat prej 1000 euro secila për vitin 2012, dhe 500 euro për vitin 2013. Nga kjo na del se financues më i mirë i këtyre qenka Komuna jonë e jo Ministria e sportit.

Me kontrollimin e regjistrit të organizatave sportive, në sajtin zyrtar www.upravazamladeisport.me , del se klubi i futbollit “Karioke” nuk është fare në listë. Nuk është e qartë pse ky klub nuk ndodhet në listë, apo nëse është fshirë nga lista, por nëse kjo është e vërtetë atëherë do të shtrohej një pyetje tjetër: Kujt i shkuan ato 2500 euro të paguara në emër të këtij klubi?

Lajm.me eshte portal investigues dhe nuk merret me përcjellje informatash zyrtare. Se shpejti do dalim edhe publikisht me informatën se cilat portale dhe gazetarë janë në listën e financimit të Komunës së Ulqinit. Atëhere do kemi një pasqyrë të qartë të heshtjes mediatike në kohën kur të gjithë flasin për korrupsion, keqpërdorime mjetesh financiare, hetime nga prokuroria, financime politike…