Komuna e Ulqinit: 13 persona dyshohen për uzurpim të tokës

0

Komuna e Ulqinit i ka dorëzuar prokurorisë 11 aktakuza për 13 persona të dyshuar për uzurpim të tokës shtetërore në lagjen Krruç, shkruan “Vijesti”.

Sipas të dhënave të përfaqsuesit të Komunës, Burim Kroma, në të cilat pati qasje edhe gazetari i kësaj gazete, në mënyrë joligjore janë përvetsuar mbi 10.000 metër katrorë.

Ndër ta është edhe zyrtari i lartë i policisë Stevo Jankoviq, i cili akuzohet për përvetsim të 1300 metrave katrorë, në të cilët ka ndërtuar objekte me sipërfaqe 28, 30 dhe 80 metër katrorë.

Jankoviq punon në Tivar si inspektor i Sektorit për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryetari i Komunës Fatmir Gjeka, në prill angazhoi Sekretariatin për mbrojtje të pasurisë që të nisë procedurën e përcaktimit të tokës së uzurpuar në vendbanimet Krruc, Shtoj, Braticë, Kodra dhe Pinjesh.

Sipas procesverbalit të policisë komunale, mbi 1000 metër katrorë kanë përvetsuar edhe Jozo Barloviq, Pero Jankoviq, dhe Vinko e Jozo Jankoviq.

Sipas informatave të pakonfirmuara, prokurorit së shpejti do ti dorëzohen edhe aktakuza tjera për mbi 40 persona të përfshirë në uzurpimin e tokës.