Kompanitë serbe dhe gjykatat malazeze nuk heqin dorë nga plaçkitja e Komunës së Ulqinit

0

Kompania serbe HG “Progres” Pirot në vitin 2006 hodhi në gjygj Komunën e Ulqinit duke kërkuar rreth 320.000 euro dëmshpërblim për marrjen e tokës me sipërfaqe 916 metër katrorë.

Bëhet fjalë për parkingun e ndërtuar në vitin 1982 dhe që gjendet mbi vendndodhjen e ish-hotelit Galeb.

Gjykata Themelore e Ulqinit me vendimin P.br.136/06 të vitit 2008 e hodhi poshtë akuzën, por Gjykata e Lartë në Podgoricë me vendimin Gz.br.1232/08 , duke vepruar me apel të kompanisë serbe, e hodhi poshtë vendimin e Gjykatës Themelore të Ulqinit.

Tani fillon edhe komedia. Në seancën e përsëritur Gjykata Themelore tani vendos që të miratojë kërkesën e palës paditëse dhe e urdhëroi Komunën e Ulqinit që asaj ti paguajë 324.000 euro. Komuna bëri ankesë ndaj këtij vendimi dhe Gjykata e Lartë në vitin 2010 e hedh poshtë vendimin e Gjykatës Themelore të Ulqinit.

Në seancën e rradhës Gjykata Themelore në Ulqin e hedh poshtë padinë, e cila në këtë rast shoqërohet edhe me miratimin e Gjykatës së Lartë në Podgoricë, por paditësi nuk heq dorë.

Ato kërkojnë që të bëhet revizionimi dhe Gjykata Supreme me vendim të vitit 2011 e miraton atë.

Ndërkohë, Gjykata Themelore e Ulqinit sjell vendimin që të ndërprehet procesi në këtë cështje pasi kompania serbe ishte nën procedurën e falimentimin.

Pala paditëse përsëri dorëzon kërkesën për vazhdim të procesit,  por kësaj rradhe nuk është më në lojë kompania serbe por një avokat i panjohur nga Rozhaja me emrin Nusho Kalaç, të cilit kompania ja ka shitur/dorëzuar të drejtën e cështjes kundrejt një shume prej 70.000 eurosh.

Gjykata Themelore e Ulqinit e hedh poshtë përsëri akuzën me vendim të vitit 2013, por tani Gjykata e Lartë vendos që ta miratojë apelin dhe urdhëron Komunën e Ulqinit që palës paditëse ti paguajë 320.250 euro dhe shpenzimet e procesit prej 5.511 euro.

Ky pingpong i gjykatave malazeze tregon haptas për një paseriozitet, neglizhencë dhe mungesë totale të profesionalizmit, aq më tepër kur bëhet fjalë për një vend kandidat për Bashkimin Europian.

Në konferencën për shtyp të mbajtur nga kryetari i Komunës Fatmir Gjeka, u kërkua nga prokuroria e Shtetit që të fillojnë të merren me këtë cështje, pasi elementet korruptive janë pothuajse evidente.

Ky është vetëm njëri nga rastet e shumtë të tentativës së kompanive nga Serbia, disa prej tyre edhe fantazëm, që në bashkëpunim me gjykatat malazeze po plackisin qytetarët e Ulqinit. Rasti më flagrant është ai “K1” ku kërkohen nga Komuna plot 10 milionë euro.

Sekretari për mbrojetjen e pasurisë së komunës, Gzim Haxhibeti, njoftoi se Prokurorisë dhe Gjykatës Supreme do ti dërgohet në afat ligjor propozimi për mbrojtjen e ligjshmërisë, gjegjësisht për revizionimin e cështjes.