Klubi i Karatesë “Ulqini”: Deklaratë për opinion

0

                                                                                        DEKLARATË PËR OPINION

 

Më 26 dhjetor 2015 në sallën e Komunës së Ulqinit u bë zgjedhja e sportistëve më të mirë, të cilëve në fund të çdo viti kalendarik çmimet iu ndanë Kryetari i Komunës. Në këtë takim ishin prezentë përfaqësuesit e të gjitha klubeve sportive që veprojnë në komunën e Ulqinit, të cilët ishin ftuar nga këshilltari për sport, e i cili ishte edhe organizator i këtij takimi pune.

Shfrytëzoj rastin që të uroj te gjithë sportistët e zgjedhur, të gjithë ata që me dinjitet na përfaqësuan me sukses në çdo vend e çdo garë dhe u uroj suksese të mëtejshme.

Me këtë rast, për arsye të së vërtetës, për shkak të anëtarëve të klubit tonë sportiv, po sidomos të opinionit të gjerë, jam i detyruar të reagoj ndaj një sjelljeje të pahijshme, josportive, një të pavërtete dhe shpifjeje për mua dhe klubin tonë të karatesë “ULQINI” që paraqiti Lek Markiqi, trajner i KK “Champion”, duke më akuzuar mua, me emër dhe mbiemër, se në vitin e kaluar gjoja paskam manipuluar me rezultatet e klubit tim dhe të gjithë buletinet që i kam paraqitur para komisionit përkatës kanë qenë jo valide!!!

Që në fillim me indinjatë të thellë e hedh poshtë këtë të pavërtetë dhe shpifje, për të cilat zotëri Markiqi mban përgjegjësi të plotë, për çka më së paku çka presim është që të kërkojë falje. I drejtohem nxënësit tim, Lek Markiqit, me gjithë orvatjen time që të kam parasysh disa veprime të papërgjegjshme dhe problematike të tijat të mëhershme, mund të prisja prej tij ndonjë gjë jo korekte, por një këso të pavërtetë e shpifje nuk e prisja kurrë. Njeriu është në moshë, trajner i një klubi të karatesë në qytetin tonë, nga unë e në klubin tonë mësoi hapat e para të karatesë. Pra, këtë nuk mund ta prisja. Por, fatkeqësisht ky nuk paska mësuar atë që është kryesore, sidomos në sport: sjelljen sportive, të vërtetën e rezultatet sportive e sidomos respektimin e mësuesit të tij. Mirëpo, siç u pa, ai qenka larg të gjitha këtyre virtyteve sportive.

Kam menduar gjatë a të reagoj dhe kundër kujt të reagoj, a ja vlen të merrem me të?! Megjithatë duke respektuar të vërtetën, përfaqësuesit sportivë që ishin në atë mledhje prezentë, vendosa të reagoj. Së pari, le t’i kujtoj disa të vërteta Lek Markiqit: në sport jam tash 46 vjet pa ndërprerje, posaçërisht në sportin e karatesë dhe në shumë vende të tjera në profesion. Askush në asnjë rast e as në asnjë moment nuk më njohu për manipulues, sepse asnjëherë nuk u shërbeva me të pavërteta e as me manipulime, e aq më pak me rezultatet sportive, që me mund e djersë i fituam dhe i merituam.

Katërdhjetë (40) vjet janë bërë prej se themeluam klubin e karatesë “Ulqini”, po atë klub ku edhe ti pak a shumë mësove karatenë. Jam munduar e kujdesur per ty dhe për të gjithë të tjerët si për fëmijët e mi, pa asnjëfarë dallimi, por si po shihet nga sjellja jote, për ty paska qenë e kotë! Së dyti, për sqarim, për hir të opinionit dhe sportistëve e punëtorëve sportivë që ishin prezent në atë takim vlerësues për arritjet vjetore në sport dhe vlerësimeve të sportistëve, që ti në këtë rast ke dalë shume i paditur e qëllimkeq, po shtoj disa fakte të pakontestueshme.

Të gjithë buletinet që i dërgon Zyra e Federatës së Karatesë të Malit të Zi, janë valide dhe zyrtare dhe në to shihen qartë rezultatet e të gjithë klubeve pjesëmarrëse në gara, medaljet dhe pikët e fituara për çdo klub dhe renditja e përgjithshme. Po ashtu, edhe të gjitha garat të cilat janë të parapara në kalendarin e garave të Federatës së Karatesë të Malit të Zi, janë zyrtare. Edhe të gjitha turnetë e tjerë që mbahen jashtë Malit të Zi, të organizuara nga federatat e atyre shteteve, janë zyrtare dhe valide.

Pra, unë nuk shpika as nuk trillova gjë, pra as rezultatet. Të gjitha që i kam prezentuar janë të vërteta. Paraqitja e fakteve e rezultateve valide, nuk janë manipulime, por përkundrazi, ai që thotë të pavërtetën si rasti yt, është tentim manipulimi e tentim përhapje të pavërtetave. Tjetër, në klubin tonë të karatesë “ULQINI” funksionon çdo gjë me një ekip profesionistësh, trajnerësh, udhëheqësish, me një zyrë të kompletuar për udhëheqëje, madje profesioniste për nga kryerja e punëve, detyrave dhe obligimeve që na dalin në punën tonë, gjatë tërë vitit, megjithëse të gjitha këto punë e detyra i bëjmë e kryejmë në mënyrë vullnetare.

Dhe në fund, Lek Markiqi, të kisha sygjeruar që t’i lësh trillimet e tentativat që të njollosësh të tjerët, është e ulët, është jo morale e në sport është rreptësisht e palejueshme. Merru me punët e tua në klub! Hiq dorë se je bërë, si thotë një fjalë popullore, “mollë sherri” në sportin e karatesë, pasi që dita ditës po i humb të gjithë shokët kolegët, edhe ata pak që të kanë mbetur, në këtë sport në komunën tonë.

Ulqin, më 30 dhjetor 2015

 

KK Ulqini