Klubi i Karatasë “Ulqini” mbyll me sukses vitin 2015

0

Sukseset për KK “Ulqini” vazhdojnë edhe në vitin 2015, duke vërtetuar kështu cilësinë e një pune profesionale dhe të një tradite 40-vjeçare që mban mbi supet e veta. Edhe pse rrugëtimi ishte me plot vështirësi, ky klub edhe sot qëndron me arsye kokëlartë e krenar në mesin e klubeve më të mira në rajon, çka dëshmojnë trofetë e medaljet e shumta, lëvdatat, mirënjohjet e respekti i veçantë i miqve të panumërt nga çdo vend.

Viti 2015 për klubin e karatesë “Ulqini” ishte shumë i suksesshëm, vit i sukseseve të arta. Garuesit e këtij klubi morën pjesë në 25 gara, si në arenat vendore, kombëtare dhe në ata ndërkombëtare, në të cilat arritën të kurorëzohen më 339 medalje, në disiplinat individuale dhe ekipore kata dhe luftëra: 110 të arta, 108 tëargjendta dhe 121 të bronzta .

Nga Kampionatet e Malit të Zi dhe Kampionatin Mbarëkombëtar garuesit e KK “Ulqini” kanë arritur të kurorëzohen me 47 medalje: 9 të arta, 17 të argjendëta dhe 21 të bronzta.

Nga Kampionatet e Malit të Zi nga rradhët e klubit të karatesë “Ulqini” u shpallën 6 kampionë të Malit të Zi – 4 në disiplinat individuale dhe 2 ekipe, 13 nënkampionë – 8 në disiplinat individuale dhe 5 ekipe dhe 15 të bronzta – 12 në disiplinat individuale dhe 3 ekipore.

Në Kampionatin Mbarëkombëtar u shpallën 3 kampionë mbarëkombëtar: 1 në disiplinën individuale dhe 2 ekipe, 4 nënkampionë – 3 në disiplinat individuale dhe 1 ekip dhe 6 të bronzta – 3 në disiplinat individuale dhe 3 ekipore.

Në Kampionatin Ballkanik të Karatesë garuesja e KK “Ulqini” në disiplinën luftëra individuale -54kg e moshës 14 vjeçare u rendit në mesin e 5 (pesë) më të mirave të Ballkanit në një konkurrencë shumë të fortë ku morën pjesë 22 garuese nga mbarë Ballkani.

Medaljet e tjera në disiplinat individuale dhe ekipore kata dhe luftëra janë fituar në turne të tjerë ndërkombëtarë, ku KK “Ulqini” ishte çdo herë ndër klubet më të mirë me suksese kulminante duke nderuar traditën e vet dhe emrin, të cilin e mban tash katër dekada, emrin e “Ulqinit florinit”, siç thotë një shprehje e vjetër popullore.

Të gjitha këto rezultate nuk janë nga një, dy apo tre garues, por janë rezultate të të gjitha gjeneratave, rezultate të një fuqie garuese, që arriten gjatë tërë vitit, duke filluar nga ajo e më të rinjve e deri në seniorë. Fuqia e një klubi vlerësohet dhe bazohet në rezultatet e arritura gjatë tërë vitit me të gjitha gjeneratat, – shprehen udhëheqësit e klubit dhe trajnerët duke cekur se këto suksese të garuesve të tyre janë gjithmonë për çdo lëvdatë, si dhe u janë mirënjohës edhe të gjithë atyre që i ndihmuan gjatë tërë vitit.

Shërbimi informativ i Klubit të Karatesë “Ulqini”