KKSH: Takim me përfaqësuesit e institucioneve arsimore të Kosovës

0

Përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe Ministrisësë Arsimit, në kuadër te vizitës zyrtare në Prishtinë, zhvilluan disa takime në institucionet e Republikës së Kosovës.Delegacioni i shqiptarëve nga Mali i Zi përbëhej nga: Kryetari i Këshillit Kombëtar Faik Nika, sekretari Lindon Gjelaj, drejtori i Drejtorisë për Arsimin e Pakicave në Ministrinë e Arsimit nëMal të Zi Marash Dukaj dhe anëtaret e Komisionit për Arsim pranë Këshillit Kombëtar, Adriana Hoxha dhe Jeta Hasangjekaj.

Fillimisht delegacioni zhvilloi takim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ku u prit nga ministri Shyqiri Bytyqi me bashkëpunëtorë. Në takim është diskutuar për çeshtjen e kuotave në Universitetin e Prishtinës për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi, veçimi i tyre në kolonë të veçantë, rritja e numrit, shqyrtimi i mundësisë për njohjen dhe ekuivalentimin e provimit të maturës shtetrore, nevoja e asistimit me mjete mësimore, lektyra shkollore, harta gjeografike në gjuhën shqipe, nevoja e përshpejtimit të procedurave të nostrifikimit të diplomave etj.

Takimi i rradhës është zhvilluar me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare Fazli Gajraku dhe bashkëpunëtorët e tij dhe është biseduar për mundësinë e furnizimit me literaturë në gjuhën shqipe për bibliotekat e shkollave, në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe po ashtu, furnizimi i bibliotekave të qyteteve si: Ulqini, Tuzi dhe Plava. U diskutua edhe për bashkëpunimin për hartimin e një bibliografie të veprave në gjuhën shqipe, të botuara në Mal të Zi.

Takim i një rëndësie të veçantë është zhvilluar me zv. Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina-Bunjaku, në të cilin është diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit kulturor më shqiptarët në Mal të Zi me qëllim promovimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.

Takimin përmbyllës delegacioni e zhvilloi në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, në të cilin është mirëpritur nga rektori Marjan Dema, me bashkëpunëtorë. Në takim është diskutuar për kuotat në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi, njohja e provimit të maturës së kandidatëve nga Mali i Zi që i nënshtrohen provimit pranues, përshpejtimi i procedurave të njohjes së diplomave etj.

Organizimi i këtyre takimeve vjen si rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer institucional me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Podgoricë.