Kalimi kufitar Skje-Zogaj: Një çështje vitale për Krajën

0

Kalimi kufitar i Sukubinës, si një pikë qarkullimi rajonale, ka rëndësi të pamohueshme për gjithë Malin e Zi, por edhe Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Por në vecanti për Anën e Malit.

Kjo pikë kufitare ndoshta nuk ka zgjidhur problemet ekonomike të zonës, por ka ndihmuar ndjeshëm në përmirsimin e infrastrukturës, lidhjen me Shqipërinë (sidomos Shkodrën), lehtësimin e qarkullimit rrugor dhe turizmin.

Për një zonë e cila ndodhet para një rreziku real të humbjes së pjesës më të madhe të popullatës, sic është Kraja, hapja e kalimit kufitar Skje-Zogaj është ndoshta ajo tentativa e fundit që mund të bëhet me qëllim përsmirsimin sadopak të situatës. Nuk duhet të hidhemi në eufori e të mendojmë se hapja e kësaj pike do të zgjidhë problemet e mëdhaja që ka kjo zonë. Kjo jo vetëm që do të ishte joreale por edhe do të sillte rrezikun e vetëkënaqsisë dhe lënien pas dore të problemeve tjera.

Në marrëveshjen e nënshkruar dje në mes Forcës dhe PDS, kalimi Skje-Zogaj është trajtuar si një cështje e cila ka rëndësi të vecantë për Krajën. Modeli i propozuar është ai i ndarjes së shpenzimeve në mes komunës së Tivarit dhe asaj të Ulqinit. A do të jetë ky modeli përfundimtar, dhe cila do të jetë dinamika e realizimit të këtij projekti, mbetet për tu parë.

Disa gjëra gjithsesi nuk duhet të harrohen.

Kjo pikë nuk do të ngjall vetëm interesim të shqiptarëve. Ne duhet të jemi të bindur se forcat shoviniste, të mbledhura rreth kishës serbe dhe mitropolitit të saj, nuk do të rrinë duarkryq e të shikojnë rilidhjen e Krajës me Shkodrën. Përkundrazi, ato do të bëjnë cdo gjë që ta minojnë këtë projekt dhe mundësisht të vendosin edhe kisha tjera nëtë zonë.

Për këtë arsye, por edhe shumë tjera, shqiptarët e kësaj zone duhet të jenë të bashkuar rreth këtij projekti, pa shikuar partitë e interesat e politikës ditore, dhe të kontribuojnë në realizimin e këtij projekti me aq sa kanë fuqinë.

Kjo është shumë më me rëndësi për Krajën se përkrahjet nëpër media e portale ndaj orlandiqve e krivokapiqve, të cilët kanë 20 vjet në pushtet e akoma përmendin rrugë e ujë.