Jabllanoviq nuk është më ministër. Shtyhet protesta

0

Kosova i ka shpëtuar një përplasjeje të rrezikshme që ishte paralajmëruar nesër me protestën e Vetëvendosjes dhe partive të opozitës. Kryeministri Isa Mustafa doli në një konferencë speciale për shtyp për të thënë se Jabllanoviq nuk është më pjesë e kabinetit të tij qeveritar. Por ai nuk zbardhur nëse e ka shkarkuar atë apo ka dhënë dorëheqje. Kryeministri i Kosovës e kishte organizuar enkas këtë takim me mediat vetëm për të dhënë këtë lajm, por ai e trajtoi atë si të parëndësishëm duke e thënë vetëm në fund të fjalës së tij.

Kryeministri as nuk tregoi nëse përfaqësuesi i Listës serbe ka dhënë dorëheqje apo në është shkarkuar. Jabllanoviqi ishte anëtari i qeverisë që u bë i famshëm me ofendimin e nënave gjakovare dhe kujtimit të djemve të tyre të vrarë në luftë. Deklaratat e tij shkaktuan indinjim dhe zemëratë që kulmoi me protestën e dhunshme të Vetëvendosjes.

Por këtë të mërkurë opozita kishte paralajmëruar një protestë tjetër dhe përshkallëzimi i saj në dhunë kishte ngjallur shumë frikë në Kosovë. Por sipas televizionit KTV, Lëvizja Vetëvendosje ka shtyrë me afat të pacaktuar protestën, e cila ishte planifikuar të mbahej nesër. Shtyrja u bë vetëm pasi kryeministri Mustafa bëri të ditur se ministri Jabllanoviq nuk është më pjesë e kabinetit qeveritar.