ISIS arrin të friksojë Kosovën? Ska festim për pavarsinë e Amerikës

0

Kosova fillimisht kishte injoruar rastet sporadike të përfshirjes së shqiptarëve në xhihadin islamik në Siri dhe Irak. Por, më vonë u kuptua që situata po bëhej shqetësuese. U tha se një ditë ata mund të kthehen nga atje dhe të kryejnë sulme në Kosovë. Këtë rrezik tani e kanë konfirmuar edhe institucionet e sigurisë në Kosovë. Pikërisht nga rreziku i ndonjë sulmi të mundshëm terrorist, nesër nuk do të ketë koncert në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, në shënim të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.

Nesër është përvjetori i pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe që nga koha e çlirimit prej Serbisë, Kosova ka shënuar këtë ditë me një koncert të madh në sheshin qendror të Prishtinës, si shenjë mirënjohje për lirinë e fituar me ndihmën e këtij shteti të themeluar më 4 korrik të vitit të largët 1776, pas ndarjes zyrtare nga Britania e Madhe.

Por, 16 vjet pas çlirimit dhe 7 vjet pas shpalljes së pavarësisë, shqiptarët e Kosovës duket të kenë filluar të harrojnë ndihmën amerikane, dhe një pjesë e tyre, nga aleatët më besnik në botë të SHBA-ve, po kalojnë në anën e armiqve Perëndimit.

Vlerësohet se rreth 200 shqiptarë të Kosovës, luftojnë përkrahë militantëve të Shtetit Islamik, dhe nga atje kanë kërcënuar se do të kryejnë sulme edhe në Kosovë e Shqipëri.

Lajmi.net, ditë më parë duke u thirrur në burime brenda policisë së Kosovës, kishte raportuar se autoritetet e sigurisë në vend kanë siguruar informacione se xhihadistë shqiptarë të përfshirë në luftën e Sirisë dhe Irakut, po përgatisin sulme terroriste në Kosovë.

Objektiv i tyre po dyshohet se janë tubimet që përfshijnë numër të madh të njerëzve.

Një i objektiv i tillë mund të ishte edhe koncerti i 4 Korrikut, kushtuar përvjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve, që tradicionalisht mbahet në sheshin qendror të Prishtinës, edhe për faktin se ai i kushtohet vendit të cilin ISIS e konsideron si armikun kryesor. Dhe për këtë po shqyrtohej anulimi i këtij koncerti.

Ndërsa sot, lajmi.net, ka mësuar se përfundimisht nesër nuk do të ketë një koncert të tillë, dhe asnjë aktivitet tjetër, në shënim të kësaj dite.

Komuna, Qeveria apo kushdo tjetër nuk kanë paraparë asgjë. Nuk japin shpjegim, por thonë se nuk ka asnjë njoftim nga askush të ketë kërkuar ndihmën apo pjesëmarrjen e tyre.

Zëdhënësja e komunës, Miranda Mollafazliu, ka thënë për lajmi.net se Komuna nuk ka planifikuar asnjë koncert për këtë ditë.

Ndërsa zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi thotë se ministria e Kulturës këtë vit nuk kanë organizuar diçka të tillë, ndërsa në vitet e kaluar, kurdo që ka ndodhur, ka qenë vetëm mbështetje nga ana e tyre.

“Ministria e Kulturës nuk ka organizuar diçka për atë ditë, sikur edhe më parë që nuk ka organizuar. E këtë vit askush nuk është ofruar që të kërkoj mbështetje financiare për ndonjë organizim të ngjashëm”, ka thënë ai për lajmi.net.

Ky koncert tradicional zakonisht transmetohej nga Radio Televizioni i Kosovës, e edhe ata thonë se këtë vit nuk kanë ndonjë kërkesë për transmetim.

Se nesër nuk ka koncert në Prishtinë, e konfirmon edhe Policia e Kosovës. Ata thonë se nesër nuk ka ndonjë aktivitet të veçantë në kryeqytet

Përveç mobilizimit nëpër gjithë qytetet e vendit, Policia e Kosovës, ka marrë urdhër për kujdes të veçantë përreth dhe në objektet shtetërore, siç janë Kuvendi, Presidenca, Qeveria dhe ministritë.