Ish drejtori Gazivoda dëshiron ta marrë Kriporen me qira!

0

Në tenderin e hapur për marrjen me qira të Kripores së Ulqinit ende nuk ka arritur asnjë ofertë, por është e sigurtë që në garë do të hyjë edhe ish drejtori ekzekutiv i fabrikës Lubo Gazivoda, i cili tani merret me përpunimin dhe shitjen e kripës së importuar, raporton e përditshmja Vijesti.

Administruesi i falimentimit i Kripores Ognjen Jojovic ka konfirmuar se deri më tani nuk kanë marrë asnjë ofertë.

Gazivoda ka thënë “përgjithësisht e di për çfarë bëhet fjalë, por jo të gjitha detajet. Me siguri do të bëj ofertë pasi t’i kem lexuar të gjitha kushtet”. Në faqen e DPS-it (PDS-së) shkruan së Gazivoda është anëtar i këshillit komunal të Ulqinit të kësaj partie.

Kur është hapur tenderi i parë për qira, ai ka thënë se do ta konsideronte vetëm nëse do ishte për një periudhë afatgjate, pasi periudha prej një viti ose dy është e paparnueshme sepse profiti mund të pritet vetëm pas vitit të tretë ose të katërt.

Tenderi është shpallur më 18 tetor dhe zgjat deri më 18 nëntor, ndërsa periudha e qiramarrjes nuk është e caktuar, por duhet të propozohet në ofertë.

Kriporen nga viti 2003 e ka kontrolluar biznesmeni nga Podgorica Veselin Barovic përmes Eurofondit, i cili e ka blerë paketën e aksioneve kontrolluese për 800 mijë euro.

Së fundmi, qysh kur ai ka dale nga Eurofondi, ndërmarrjen më të vjetër ulqinake e kontrollojnë njerëz të afërt të Barovicit. Në vitin 2005 kompania është futur në falimentim të programuar për shkak të borxhit prej 13 mijë euro. Gjashtë vite më vonë, është futur në falimentim klasik, i cili ka rezultuar me largimin e të gjithë punëtorëve. Kriporja është sot totalisht e braktisur, nuk ka as energji elektrike, ndërsa Qeveria i ka marrë edhe koncesionet për ujin për shkak të falimentimit.

Për shkak të gjithë këtyre arsyeve, në rrezik është i gjithë ekosistemi në atë pjesë të qytetit, sepse Kriporja ka muaj që nuk pompon ujë të freskët të detit në kanalin e ndotur të Port Milenës.