Kryetari i Komunës, Nazif Cungu, priti sot përfaqësuesit e kompanisë “Memnon” nga Jordani, ndër to z. Mouvafaka Al Tamneh, prodhues eminent në vendet e Gjirit, respektivisht këshillit për bashkëpunim GCC.
Në shoqërinë e z.Al Tamneh ishin dhe afaristë nga Iraku, Kuvajti dhe Izraeli ,si dhe përfaqësues të Ambasadës së Emirateve të Bashkuara në Podgoricë.
Mysafirët e njoftuan kryetarin Cungu se kompania e tyre është e interesuar për rritjen e tërfonjës, duhanit , rritjen dhe grumbullimin e pemëve jugore siç janë mandarinat e limonët, si dhe shprehën interes në hapjen e pularive etj..
Pas vizitës që investitorët i bënë Malit të Zi, arritën në përfundimin se lokacioni më i përshtatshëm dhe më interesant për këtë lloj biznesi është trualli i ish-ekonomisë së dikurshme ushtarake në Shas.
Nga ana tjetër, kryetari Cungu shprehu gatishmërinë e Komunës që të gjithë investitorëve maksimalisht t’i dalë në ndihmë dhe shtoi se projektet e këtij lloji mund të ndikojnë në zhvillimin e bujqësisë në komunën e Ulqinit. Për shkak se trualli i kërkuar është në pronësi të shtetit të Malit të Zi, Komuna e Ulqinit në një afat sa më të shkurtër, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, do të inicojë dhënien e tokës me qera investitorëve potencial. Pas takimit, mysafirët vizituan edhe disa lokacione të tjera që janë me interes për investime.