Intervistë me piktorin Agim Gecaj nga Malësia

0

K.D: Si Ju lindi dëshira për artin, konkretisht pikturën të cilën e kini pasion?

A.Gecaj:Të them të vërtetën, ndoshta ka diçka të lindur me vetë njeriun, sidomos kur janë në pyetje ato që ne i quajmë shkathtësi, por unë disi e desha shumë artin figurativ që nga shkolla fillore. Ajo është koha kur njeriu, respektivisht tek nxënësi zbulohet ai talenti i lindur e në të cilin ia vlen të punohet më tej. Kështu, unë iu përkushtova me shumë pasion dashurisë për këtë lloje arti e që jam duke vazhduar gjithnjë.

K.D: Të rinjtë nga këto treva janë dëshmuar në lëmi të shumta si talente dhe krijues të denjë, mirëpo është e njohur se kushtet nuk janë aq të favorshme për të dhënë rezultatet më të mira. Sa janë ato vendimtare, sidomos në rrugën e krijimtarisë?

A.Gecaj: Ska dyshim se mungesa e kushteve ka pasoja të mëdha në arritjen e suksesit të dëshiruar, sidomos siç është arti figurativ, pasi që nuk mjafton vetëm dëshira ose talenti për të krijuar, por në radhë të parë duhet investuar. Por, njeriu me vullnetin e vet brenda mundësive ekzistuese bën aq sa mundet.

K.D: Ju, me profesion jeni profesor i gjuhës angleze. Kini punuar në shkollat fillore në trevën e Malësisë, por momentalisht i papunësuar. Si mund ta shpjegoni lidhjen mes profesionit dhe pasionit për artin?

A.Gecaj: Më duhet pranuar se artin e kam dashtë më tepër që nga fëmijëria ime, por nuk pata mundësi të vazhdoj ashtu siç kisha dëshirë. Edhe pse, në atë kohë me punimet e mia si nxënës u paraqita në disa gara ku rëndom fitova çmimet dhe vlerësimet më të larta. Si nxënës në klasën e VIII, fitova çmimin e parë në ish Jugosllavi e po ashtu, mora pjesë edhe në gara internacionale në Kajro të Egjiptit, ku u dallova me punimet e mija. Prandaj, aty edhe buron dashuria ime për vizatim, që në mënyrën time të pikturoj atë që ka lindur në syrin apo imagjinatën time.

K.D: Ju, shtëpinë tuaj familjare e kini shëndrruar në atele dhe janë të ekspozuara shumë punime tuaja. Cili është motivi kryesor në realizimin e ideve të ndryshme në veprat tuaja?

A.Gecaj: I lindur dhe i rritur në Malësi, më motivon pothuaj, gjithçka që më rrethon në këtë ambient; njerëzit dhe natyra me bukuritë e sajë mahnitëse. Në veçanti malësori i këtyre anëve siç ishte ndër shekuj. Pastaj, veshja kombëtare me bukurinë e vet e cila është motiv i pashtershëm për çdo krijues.

K.D: Po ashtu, ndër motivet që shohim në punimet tuaja janë personalitete të shumta kombëtare. Sa është e vështirë ti pikturoni të gjitha këto ashtu siç e dëshironi?

A.Gecaj: Kuptohet se nuk është aspak e lehtë të pikturosh çdo detaj ashtu siç e imagjinon, ose ashtu siç duhet që punimi të ketë domethënien e vet, të jetë për shijen e shikuesve pavarësisht vendit dhe kohës. Kuptohet në mënyrë që vepra të jetë jetëgjatë. Kuptohet se për çdo krijues shqiptar, personalitetet kombëtare janë kryemotivet në krijimin e veprave të veta. Andaj, unë me kënaqësinë më të madhe i përvishem kësaj pune, por gjithherë me drojën se nuk do të arrij në idenë ashtu si e parashoh.

K.D: Organizimi i ekspozitave është njëra ndër mënyrat e prezantimit të punimeve të veta, që ato t’i prezantohen opinioni të gjerë. Sa kini mundësi Ju të realizoni prezantime të tilla të punës suaj?

A.Gecaj: Kuptohet se ajo edhe është njëri prej qëllimeve të atyre që merren me këtë lloje arti. Mirëpo, të përgatisësh një ekspozitë nuk është aq e lehtë. Kjo varet, në radhë të parë nga mundësitë personale e që më së shpeshti janë mjaft modeste. Kam dëshirë që me punimet e mia të prezantohem në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Që atje të prezantoj për artdashësit një pjesë të punimeve të mia.

K.D: Piktorë të shumtë shqiptar janë të njohur dhe të mirëpritur në qendrat më të mëdha të kulturës. Tashmë ekzistojnë mundësi komunikimi dhe bashkëpunimi me krijuesit e tillë. Sa bashkëpunoni ju në këtë drejtim?

A.Gecaj: Vërtetë, është kënaqësi suksesi i krijuesve shqiptar në qendra të ndryshme dhe unë kam dëshirë të madhe të bashkëpunoj me të gjithë ata, të shkëmbejmë mendime dhe përvojat në lëmin e artit. Ndër piktorët që unë preferoj më së shumti janë Lazer Taci, pastaj Agim Sulaj nga Shqipëria, i cili më lënë një përshtypje të veçantë me krijimtarinë e tij.

K.D: Punimet tuaja janë mjaft joshëse për artdashësit në këto hapësira. Sa jeni të kënaqur ju me këtë?

A:Gecaj: Kjo më inkurajon shumë të vazhdoj me të njëjtin pasion dashurinë time për artin. Sidomos vlerësimet nga bashkëkombësit tonë që jetojnë në mërgim të cilët kanë konsideratë të madhe për punën që bëjë dhe të cilët i pëlqejnë shumë punimet e mija. Andaj edhe u jam shumë mirënjohës.

 

Bisedoi Kristjan Gj. Dukaj