Intervistë me dr. Entela Komninon, autore për Nolin”

0

Entela Komnino është gazetare në Televizionin Publik Shqiptar, e doktoruar për letërsi në Universitetin e Tiranës. Vitin e kaluar ka botuar librin “E vërteta për Nolin”, përurimi i të cilit do të bëhet të shtunën në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin, në orën 11.00.

Ju keni shkruar një libër eseistik për një autor si Fan Noli. Titulli na çon të mendojmë për një gjetje të madhe. Çfarë është ajo?

Koha që ka prodhuar Fan Nolin është pyetur pak ose aspak, e aq më pak të konsiderohej më tej për përfundime shkencore. Kjo ka krijuar efektin e një misteri dhe të pyetjes së mëtejshme nëse ka mbërritur rastësisht si e tillë (e pastudiuar), apo është transformuar duke u treguar me terma të përgjithshëm e jodomethënës. Në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, vendet e Ballkanit po konfirmonin shthurjen e Perandorisë Osmane përmes aftësisë rezultative (ose jo) për të jetuar të pavarur pas disa shekujh sundimi. Figurat udhëheqëse shqiptare që drejtuan këtë proces për Shqipërinë, u prodhuan edhe në komunitete të largëta me territoret shqiptare bazë, por që provuan se në rastin e formimit të tyre, gjeografia u sfidua nga një trashëgimi gjuhësore-retorike- mendore unike. Rasti i Fan Nolit, i lindur e rritur në një komunitet shqiptar në Turqi, në kufi me Greqinë, ka bashkuar gjithë shfaqjet e një fenomeni të tillë, duke kulmuar organikisht në situata pyetëse: nëse një qytezë e adresuar të jetë krijuar nga perandorët e Bizantit nuk ishte as turke, as greke, as bullgare apo rumune, po cilësisht shqiptare e krishterë.

Çfarë është kjo trashëgimi e paasgjësuar shqiptare, jashtë vilajeteve zyrtare e fundfillimshekullit XIX-XX që prodhon realitete e autorë shtetbërës? Në fakt çfarë keni gjetur ju se është?

Ka qenë realitet dhe jo vend si në kuptimin e sotëm, ai të cilit mund t’i referohemi për kushte sociobiografike të Fan Nolit si autor dhe personalitet i Rilindjes Kombëtare. Fjala realitet që, nga njëra anë, rrezikon të keqkuptohet se çfarë ishte Shqipëri në atë kohë, nga ana tjetër, nxit kuptime të vlefshme se çfarë individësh mund të prodhoheshin edhe në komunitete të vogla, të vendosura madje në pikëpamje fetare dhe komb-shtetërore në përkundër të tyre, boll që të ishin shqiptare. Noli u bë pjesë aktive e atyre që unë i kam përkufizuar si autorë shtetbërës sepse filluan ta shkruajnë atdheun në letra dhe reciprokisht më pas punuan e shkruan se si po bëhej ky atdhe. Thirrja e tyre ishte direkte; Të bëhet Shqipëria!

Rrethanat e shqyrtuara sot nga publicistika e Nolit tregojnë si projektimin ashtu dhe dokumentimin e aktivitetit kombiar duke u formatuar edhe vetë si shumëpushtetëshe. Publicisti pasqyronte në gazetë një fjalim të mbajtur prej tij në një aktivitet publik ku kishte qenë politikan ose diplomat, madje në rastin e Fan Nolit edhe si ligjërues në kishë.

Ky fenomen është ai që ju e quani ‘Atdheu në letra’?

Pushteti i vetëm i shqiptarëve i demonstruar në atë kohë dhe i mjaftueshëm për ta treguar Shqipërinë e asaj kohe – ‘atdheu në letra’- është një proces më se specifik. Atdheu u shkruajt në platforma kohe siç tregon titulli ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet’ i Sami Frashërit. Në Stambollin e atëhershëm nipi i tij e përjetonte Shqipërinë ‘në formën e një perëndie’ dhe kultin e saj ‘në vendin e një besimi fetar’.

Fenomene të tilla mbishtetare në kohë dhe hapësirë, por që treguan aftësi shtetformuese, adresojnë edhe reagimin substancial të ndalimit gjuhësor 300 vjeçar vetëm të shqipes në Perandorinë Osmane. Fakti gjuhësor provon si sjelljen e administratës turke skajshmërisht asgjësuese vetëm ndaj shqiptarëve, për lidhjen me të cilët ka thurur mite dashurie e identifikimi, ashtu edhe faktorizimin si i vetmi sendërtues i aftë jo vetëm për të bërë publicistikë pas këtij ndalimi, por edhe për të gjeneruar atdhe dhe breza shqiptarësh. Edhe pas 300 vitesh ndalimi, shqipes nuk i ndodhi ajo që u ndodhi organikisht latinishtes e greqishtes së vjetër, duke sjellë me këtë vetëm një mundësi shpjegimi; atë mitik të Feniksit pendëkuq që ringrihej nga hiri i tij.

Me termat e sotëm dhe ato retorikë, është artikulimi i kapaciteteve (në kuptimin e lirikës politike) ai që lejon të kuptohet që, edhe një koloni ushtarake me shqiptarë, në shërbim të ushtrisë me fe e të një vendi tjetër, të prodhojë mundësi autorësh shtetbërës, si ato të Fan Nolit.

Po shqiptarët si shfaqen në këtë proces?

Mua më rezulton si realitet shqiptarbërës duke iu referuar thirrjes ‘Të bëhet Shqipëria e shqiptarët’. ‘Bërja e shqiptarit’ ishte një kod që Noli në rastin e tij e tregoi të funksionojë gati po aq skajshmërisht sa dhe vetë Shqipëria. Eksplorimi deri në kufijtë e përtejmë për eksperiencat e vdekshme fizike nga sëmundjet e vështira të fëmijërisë dhe përfshirja e tyre në historinë e tij jetësore (Autobiografia), si një pjesë e historisë së kishës shqiptare, gjen shpjegime vetëm në arsyet jetësore të një realiteti, ku të lindurit e të bërit shqiptar mund të natyralizohet edhe pa normalitetet e administratës dhe pushteteve. Gati si një model edukimi, shembujt jetësorë të Nolit të vogël e të ri duken si fillesë projektimi se si u ‘bënë’ shqiptarët, (pa)varësisht vendit e kohës.

Ju eksploroni edhe realitete të cilat jo vetëm nuk janë konsideruar deri tani nga kritika për Nolin, por madje janë anashkaluar. Çfarë janë ato?

Noli ka përshkruar në ‘Autobiografi’ realitete të jashtëzakonshme si kthim nga vdekja ose gjendje përçarti. Përveç faktit që kritika e para viteve ’90 hezitonte të përmendte pjesën fetare të Nolit, moskonsiderimi i këtyre realiteteve të skajshme, më ra më tepër në sy gjatë shqyrtimit të raportit të realitetit dhe pasqyrimit të tij publicistik e të gjithanshëm në veprën e Nolit. Që Noli të ketë mbijetuar skajshmërisht nuk është pikëpyetje. Por përshkrimi i këtyre rrethanave për të treguar jetëshkrim që është një tekst mëse konkret, nuk ngacmon gjë tjetër veç gjetjes se çfarë synon ky realitet pa kufi sa dhe i pamatë në këto tekste. Një kundërpërgjigje konkrete brenda të njëjtave faqe i takon tregimit të detyrave titanike për nga pamundësia e zgjidhjeve. Po pyetja konkrete studimore është nëse ëngjëjt e djajtë bashkë me skenat ku qëndrojnë e shfaqen, janë figura shkrimi apo realitete. Rasti i Nolit si jetëpërshkim ka jashtëzakonshmërinë e realiteteve shqiptare të kohës dhe atyre fizike personale, por si jetëpërshkrim i bërë po prej tij, na jep një sërë argumentesh-kontekste-realizime që shpjegojnë figuracionin mitik e fetar në publicistikën e tij si substancë mbijetese shqiptare.

Ju keni gjetur faqe të panjohura deri tani të Nolit?

Këto situata që po flasim janë pjesë e Autobiografisë së shkruar prej tij në fund të jetës dhe e botuar prej kohësh. Unë kam arritur në përfundime si ato më lart duke kërkuar kushtet e krijimit të Nolit si autor dhe ndesha kontekstin e bërjes së shqiptarëve të artikuluar me hollësi personazhi në jetëshkrimin e Nolit. Dhe nuk është vetëm përçartja apo kthimi nga vdekja që kanë prodhuar situata të një realiteti pa kufi sa dhe të pamatë në autobiografi. Atdheu i marrë me mend prej distancës gjeografike ose prej kohës kur kishte gëzuar natyralitetin e tij, duket sikur u mor edhe me frymë në rreshtat e Nolit, por edhe autorëve shtetbërës të tjerë shqiptarë, siç tregon figuracioni i Fishtës ‘atme e fe’. Fytyrimi i realiteteve konkrete të autorëve shtetbërës shqiptarë bën të mundur që kufijtë e figuracionit në tekstet publicistike të shtrihen aktivisht deri në burimin e tyre të parë; atë retorik.

Ju keni shkruar se ‘pyetja e gjithë jetës së Nolit për Skënderbeun ka mbërritur e aftë për arsyetime edhe 100 vjet pas Nolit e më shumë se 500 vjet pas Skënderbeut’. Cila është kjo pyetje?

‘Ngandonjëherë pyes veten i habitur nëse mund të ketë sot ndonjë njeri që të jetë po aq i gjallë sa Skënderbeu.’

Çfarë indikon ajo?

Përveç habisë që pyetja ka qenë atje që nga koha kur e ka shkruar Noli dhe nuk është vënë re, konteksti mbi të cilin vendoset në shqyrtimin tim, lidhet me ekzistencën. Noli ka pyetur për Skënderbeun duke  u vendosur fillimisht mbi proceset e Rilindjes që e evokonin heroin kombëtar të gjithëkohshëm të shqiptarëve për të treguar, siç e kam quajtur unë, një kohë në të cilën atdheu përmbahej. Lidhja e mbijetesës personale të Nolit me caqet njerëzore të përshkueshme e të përshkrueshme, ka qenë një rrugë që ka marrë me vete procese mendore të gjurmuara me përmasa legjende tek Skënderbeu. Heroi kombëtar i shqiptarëve ka qenë aq i gjallë sa dhe Shën Jeronimi që përktheu Biblën në latinisht dhe Konstandini i madh. Rruga e shfaqjes së Skënderbeut në tekstet e Nolit zbërthen marrëdhënie komplekse ligjërues (publicist, politikan, prift) – auditor sipas specifikës shqiptare e asaj të kohës. Shqipërisë i nevojitej ekzistenca dhe kjo ishte në pyetje të madhe para dhe në mes dy luftërave botërore. Atëherë thirret një kohë që modelohej sipas rezistencës ndaj Turqisë. Koha e atëhershme kishte qenë gjithashtu e mundur nga Skënderbeu dhe ky ishte një hero. Në këto raporte të thjeshtuara arsyetimesh, mund të vendoset sipas asaj që është demonstruar në publicistikë edhe Skënderbeu si Hero i Nolit. Evokimi i Skënderbeut ka ndodhur kur është provuar se konkretizon një proces me kapacitete prodhuese për shkak të apelit. Tejzakonshmëria që përftohet nga një realitet historik me emrin e tij (Skënderbeut) dhe ndjeshmëria shqiptare ndaj figurës së Skënderbeut, edhe pse në përmasa legjende me gjurmë kali në shkëmb e shpatë magjike, apo shpëtim nga brirët e dhisë, guxohet për herë të parë të pyetet se çfarë lënde me fund kuptimi njerëzor ka pas. Dhe ai që e bën këtë është Noli.

Si e ka ndikuar kjo vetë Nolin?

Pyetja nga Noli për tejzakonshmërinë, qoftë të një heroi, qoftë të vetë autorit apo realitetit të treguar prej tij ka zbuluar parashtrime madje dhe apelime përmes realiteteve pa kufi, nga ku Skënderbeu ‘i çertifikuar’ ndër shqiptarë, bëhet pjesë e asaj natyre provash që e kapërcejnë jetën njerëzore. Artikulimi i të jashtëzakonshmëve dhe anasjelltas sipas një natyre shkrimi publicistike, është po aq organik në faktin që zbulon sipas kapaciteteve të të shprehurit dhe njësive gjuhësore atë që trojet shqiptare bartin fillimet. ‘Skënderbeu’ vepron si proces edhe kur nevojat e evokimit prej rilindasve kishin pushuar së vepruari siç duket në një leksion të mbajtur në një Seminar të Vatrës në vitin 1960.

E dhëna fikse e referencës së Skënderbeut nga Rilindja shqiptare e realiteti historik, mund të zbulojë vazhdimisht mistikën e një kodi veprues dhe të një realiteti që nuk është thjeshtë lënda historike e as historia e arritur, por kuptimi i saj. Pyetja e pandalur për Skënderbeun edhe në kushtet kur proceset politike që kishin prodhuar ‘Skënderbeun’ nuk vepronin më, vendos vetëm një lidhje: atë të nevojës për përgjigjen e asaj se kush e mbante gjallë.

Bartjet e shqipes janë një velë që e drejton apelin e Nolit edhe në ditët tona përmes lëndës gjuhësore e mendore që prodhoi në shqip.