Hafiz Ali Ulqinaku – kontribues në formësimin e vetëdijes kombëtare

0

Hafiz Ali Ulqinaku u lind në vitin 1853 në qytetin e Ulqinit. Në autobiografinë e tij ai tregon se pas përfundimit të mejtepit hyri në medresenë e qytetit, ku vazhdoi mësimet deri në librin Fenari. Kjo qe faza e parë e shkollimit të tij. Në këtë periudhë, e cila, përkon me betejat për mbrojtjen e Ulqinit, ndonëse në moshë fare të re, mori pjesë edhe Hafiz Aliu. Me rënien e Ulqinit nën Malin e Zi, familja e tij sëbashku me qindra familje të tjera ulqinake u shpërngulën në Shkodër si emigrantë, ku gjetën strehim dhe përkrahje dashamirëse për integrim familjar e shoqëror. Këtu, ai nisi edhe fazën e dytë të shkollimit, në medresenë e këtij qyteti. Ku sipas vetë Hafiz Aliut mori edhe diplomën teologjike (Ixhazetnamen) dhe thekson se: “Gjuha e jeme asht shqipja. Shkruej e flas arabisht, turqisht, shqip”. Djali i tij, Saiti, në një parathënie të botimit të “Mevludi Sherifit” figurën e të atit na e përshkruan si mëposhtë: “I ndjeri Hafiz Ali kishte me vedi një shpirt të madh të pajisur me kulturë të naltë teologjike, me natyrë të mprehtë poetike e me ndërgjegjje të kullueme dhe të edukueme sipas parimeve të Islamizmës”.

Në vitin 1882, Hafiz Ali u emërua si mësues i shkollës fillore në lagjen “Dudas”. Ndërsa në vitin 1884, ai u transferua në Lezhë ku fillimisht ushtroi detyrën e mësuesit dhe imamit, e më pas edhe atë të Myftiut të këtij qyteti deri sa ndërroi jetë në vitin 1913.

Veprimtaria e Hafiz Ali Ulqinakut shtrihet në disa fusha kryesore, si në atë të letërsisë, gjuhësisë, përkthimit, arsimit e në atë fetare. Por, në kuadër të tematikës sonë na duhet të theksojmë se kjo figurë i dha një rëndësi të madhe sidomos shkrimit të gjuhës shqipe. Në parathënien e “Mevludi Sherifit”, ai shkruan ndër të tjera me vargje se parimet themelore të fesë islame:

“N`gjuhë të shqipes kam qëllim un me i tregue

Që kështu vllaznit sa do pak me përfitue”.

Kontributi i tij u shtri edhe në hartimin e tre fjalorëve shqip-turqisht me gjithësej 1334 faqe, të cilët mbartin vlera të mëdha leksikologjike, leksikografike, dialektologjike dhe për historinë e gjuhës shqipe. Një rëndësi më vete në këtë kontekst ka sidomos abetareja e Hafiz Aliut. E cila, ndonëse brenda logjikës së kohës është hartuar me alfabet arab, ajo ka vlera të veçanta atdhetare, shkencore, gjuhësore dhe didaktike. Sipas studiuesve të jetës dhe veprës së Hafiz Aliut, të cilët i kanë bërë një analizë të shkëlqyer kësaj abetareje: “Shkrimi i shqipes e aq më tepër përdorimi i saj në shkollë, hartimi i librave shqip dhe i abetareve shqipe tregonte vullnetin e mirë dhe ndërgjegjjen e lartë atdhetare të autorit”.  Abetarja në fjalë ka gjithësej 15 fletë dhe 26 faqe. Kjo abetare për shumë vite me radhë mbeti në dorëshkrim në dosjen nr.3 të fondit personal të Hafiz Ali Ulqinakut në Arkivin Qendror të Shtetit deri sa u botua në një studim monografik mbi jetën dhe veprën e tij në vitin 2005.

Vitin e kaluar, postat e Maqedonisë në bashkëpunim me Shoqatën e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë (SHHSHM), kanë promovuar pullën postare me figurën e Hafiz Ali Riza Ulqinakut, me rastin e 125 vjetorit të vdekjes së tij.

pulla50