Gjeloshaj: Elaboratet ekonomike për komuna janë manipulime. Të ndryshohet ligji!

0

Deputeti i ASH-së në Kuvendin e Malit të Zi Nikë Gjeloshaj, në faqen e tij në facebook ka shprehur qëndrimin e tij ne lidhje me procedurat ekzistuese për arritjen e statusit të komunës dhe nevojen e ndryshimit të tyre.

“Ligji për vetqeverisje lokale, në mes tjerash definon edhe proceduren juridike për formimin e komunave të reja. Parasheh elaborat ekonomik, komision të qeverisë për shqyrtim të tij, referendum, etj.

Mirëpo nuk është e drejtë që Komunat Urbane që ekzistojnë që më shumë se 8 vjet të kenë procedura të njëjta si ndonjë pjesë e komunave ekzistuese, që shpreh interes për tu ndarë. Edhe pse sot Komuna Urbane pa kompetenca, ajo ka një administratë ekzistuese, ka një ndërtesë komune dhe këto duhet të shikohën si përparësi kur është fjala për ndryshimin e statusit të Komunave Urbane.

Në këtë drejtim duhet të ndryshohet ligji, që Komunat Urbane, të mos ndjekin këto procedura të tejzgjatura për tu bërë Komuna të pavarura, por të ndryshojnë statusin e tyre me vendim të Kuvendit të Republikës së Mali të Zi.

Do të propozoj ndryshimet e ligjit për vetqeverisje lokale në këtë drejtim, të eliminojmë manipulimet e elaborateve ekonomike, referendumeve etj, për arsye se për një Komunë Urbane që shpreh dëshirën dhe nevojën për të ndryshuar status nuk janë të nevojshme gjëra të tilla. Me këto ndryshime do të krijohëshin kushtet që të këmi edhe de jure vetem vendim politik për komunë.”, thotë Gjeloshaj.