Gjeloshaj: Do të vazhdojmë të kërkojmë që Malësia të jetë komunë si gjithë të tjerat

0

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi Nik Gjeloshaj, deklaroi sot në Kuvendin e Malit të Zi se partitë shqiptare do vazhdojnë të kërkojnë që Malësia të jetë komun si të gjitha tjerat.

“Kjo është jo vetëm e drejtë e jona, por edhe obligim”, tha Gjeloshaj.

Kuvendi sot ka filluar diskutimin në lidhje me propozimin për ndryshimin e ligjit për organizimin territorial, i cili do ti mundësonte Tuzit dhe Gollubovcit statusin e komunave të pavarura në kuadër të kryeqytetit.

Propozuesit nga PDS dhe Partia Boshnjake u shprehen se kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme, me të cilën Tuzit i kthehen të drejtat që humbi në vitin 1956.

Rifat Rastoder nga PSD, është i mendimit se statusi i komunave të reja në kuadër të kryeqytetit mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, dhe se për disa cështje nevojitet sqarim nga qeveria.

Nga partitë opozitare kryesisht u shprehen kundër këtyre ndryshimeve, pasi sipas tyre, kjo bëhet vetëm për interesa partiake dhe jo zgjidhje të problemeve të këtyre komunave urbane.