Gjashtëmbëdhjetë vjet nga bombardimet e NATO-s

0

Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, pikërisht më 24 mars të vitit 1999 rreth orës 20.00, filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi.

Aeroplanët B52 dhe raketat TomahawkNATO-s ishin nisur për t’i thënë mjaft gjenocidit që Serbia po kryente në Kosovë. Fushata ajrore e NATO-s solli lirinë e popullit të Kosovës, ndërsa u vlerësua si ditë që ndryshoi edhe historinë e Aleancës Veriatlantike.

Shpresa që ishte venitur për shqiptarët në fillim të viteve të ’90-a u rikthye pikërisht me 24 mars të vitit 1999. Atë ditë aeroplanët e NATO-s, u nisën drejt caqeve ushtarake serbe në Kosovë dhe Serbi, me qëllimin e vetëm, shpëtimin e një populli që po përballej me gjenocidin dhe spastrimin etnik që po bënte regjimi i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë.

Ishin këto raketa TomahawkNATO-s që ishin nisur nga Napoli i Italisë drejt hapësirave të ish Jugosllavisë. Cak kishin ushtrinë serbo-jugosllave në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi. Avionët e NATO-s, B52 ishin tashmë mbi hapësirën e Kosovës, për të sulmuar ushtrinë serbo-jugosllave. Ishte ky operacioni i parë i NATO-s në historinë e saj 50 vjeçare, kundër një shteti sovran. Një sulm ky që nisi pa miratimin e plotë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por për të cilin SHBA-të dhe aleatët perëndimore ishin të vendosur. Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë ishte gjenerali Wesley Clark.

Kosova, një vend i vogël në hartën e Evropës, u bë simboli i rishikimeve thelbësore të koncepteve politike, ushtarake e gjeostrategjike. Pas vite vuajtje, vrasjeve, masakrave, dëbimeve, SHBA-të dhe aleatët perëndimor, vunë në lëvizje aleancën më të fuqishme ushtarake për t’i ndalur krimet e presidentit të atëhershëm jugosllav, Sllobodan Millosheviq. Bota u vu në lëvizje. Reagimet të përziera, sidomos në OKB. Liderë të ndryshëm botëror deklaronin se kjo ndërhyrje e NATO-s ishte bërë për qëllime humane.

Fushata ajrore e NATO-s, nuk përfundoi menjëherë, ashtu siç mendohej. Për 78 ditë me radhë Aleanca Veriatlantike vazhdoi të bombardonte caqet ushtarake serbe. Partner kryesor e kishte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila operonte në terren me pjesëtarët e saj.

Përgjatë këtyre 78 ditëve të sulmeve ajrore qindra mijëra refugjatë shqiptarë përjetuan dramën e eksodit në Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi. Në kushte të rënda jetese nëpër kampe tashmë të shfaqura si imazhe të cilat ishin në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, refugjatët kosovarë të vetmen shpresë e kishin tashmë tek aeroplanët ushtarakë të NATO-s të cilët po vazhdonin sulmet.

Gjithçka përfundoi në fillim të qershorit, 1999 kur Millosheviqi nënshkruan kapitullimin e tij. Pranon Marrëveshjen e Kumanovës për t’u hapur rruga e miratimit të rezolutës 1244 të Këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara. E në këtë muaj, forcat tokësore të NATO-s hyjnë në Kosovë për të filluar ndërtimin e paqes.