Gazetaria në greminë: Ja si e trajtojnë mediat serbe çështjen e Kumanovës

0

Fillimi i një lufte në Maqedoni duket të jetë me interes për Serbinë. Gazetat kryesore të Beogradit, sot në ballinat e tyre, janë marrë me atë që ndodhi në Kumanovë, duke shkuar deri atje, sa të thonë se kanë informacione se lufta e vërtetë në Maqedoni do të fillojë më 12 maj (nesër), dhe se ajo po bëhet me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton lajmi.net.

Gazeta serbe “Kurir” e cila njihet për afërsinë e saj me shërbimin sekret serb (BIA), në ballinën e saj shkruan se “Lufta e vërtetë fillon më 12 maj”. Ajo thirret në burime të saj dhe në deklaratat publike të pjesëtarëve të armatosur që morën pjesë në përleshjen e Kumanovës e që vetën po e quajnë UÇK, se lufta e vërtetë cila për qëllim ka krijimin e Shqipërisë së Madhe, fillon nesër.

Ndërsa, gazeta tjetër “Informer”, gjithashtu e njohur për afërsinë me pushtetin në Serbi, shkruan se shqiptarët që u përleshën me policinë maqedonase në Kumanovë këtë po e bëjnë me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe krejt kjo me qëllim pengimin e projektit rus të gazsjellësit i cili kalon përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, për të dalë më pas në Evropën Perëndimore, transmeton lajmi.net.

Kjo gazetë e cila thirret në burime diplomatike shkruan se zyrtarët e inteligjencës amerikane u kanë dhënë sinjal anëtarëve të UÇK-së për të filluar sulmet.

Për situatën në Maqedoni shkruan edhe e përditshmja “Blic”, e cila gjithashtu duke u thirrur në burime të saj, thotë se shërbimi sekret serb e kishte paralajmëruar Maqedoninë më 6 prill se shqiptarët po përgatisin sulme terroriste atje, por sipas saj Shkupi zyrtar i kishte injoruar këto informacione.

Edhe e përditshmja tjetër serbe “Novosti” rëndësinë kryesore të botimit të sotëm ja ka kushtuar situatës në Maqedoni, duke e nisur me titullin, “A mundet Kumanova të ndez Ballkanin”.