Forca: Nuk duhet të ketë vota për shkatërruesit e Ulqinit

0

Ulqin, 25.01.2018

Komunikatë për Media

Ditëve të fundit në Komunën e Ulqinit janë shfaqur intensivisht për të marrë vota figura qendrore të socialdemokratëve (SD) ndërkohë që për vite me radhë e kanë neglizhuar komunën tonë.

Nëpërmjet kësaj komunikate ne i bëjmë thirrje popullit shqiptar të Komunës së Ulqinit që të  mos gënjehen nga premtime të rreme e të pasinqerta dhe i kujtojmë se këta politikanë janë drejtpërdrejte përgjegjës për prapambetjen tonë.

Së pari nuk ka të drejtë të flasë para qytetarëve të Komunës së Ulqinit, Ivan Brajoviq, kryetari i SD i cili ka qenë ministër i transportit dhe ka bllokuar për shumë vite me radhë ndërtimin e rrugës Ulqin-Krythë. Për rrugën që është vitale për Ulqinin e që vetëm FORCA pati mundësi ta zhbllokonte.

Po ashtu me çfarë të drejte kërkon votën e ulqinakëve Vujica Llazoviq, i cili ka qenë kryetari i këshillit të privatizimit dhe personi kryesor në përpjekjen për shitjen ndaj CubusLux të Valdanosit, pra të pronës që i takon qytetarëve tanë . Për vite me radhë ne jemi përpjekur e ia kemi dalë ta bllokojmë këtë proces të drejtuar dikur prej Llazoviqit.

Po ashtu, para pak ditësh është parë edhe ministri SD-së Damir Shehoviq që mashtronte banorët e komunës sonë duke premtuar vende pune në këmbim të votave. Bëhet fjalë për atë ministër arsimi që injoron gjendjen e keqe të arsimit shqip i cili ofendon rëndë banorët e Anës së Malit duke emëruar si drejtor shkolle nga partia e tij dikë që është kuadro i dobët. Është fyerje për këtë krahinë patriotike me traditë të hershëm në shkollimin shqip që ka nxjerrë gjithmonë gjenerata të tëra arsimtarësh të shkëlqyer.

Për mos të folur pastaj për Morsko Dobron që për vite me radhë është drejtuar nga funksionarët e sotshëm të SD gjatë kohës që ishin pjesë e SDP-së. Nën drejtimin e tyre nga Të Mira Detare kjo kompani ishte shndërruar në Të Mira Kontinentale sepse përfshinte tokë në thellësi të komunës. Po ashtu por për vite me radhë nuk ka pasur investime serioze në bregdetin e Ulqinit. Ishte FORCA faktori kryesor për zvogëlimin e hapësirës tokësore të kësaj kompanie dhe bëri të mundur që gjysmat e të ardhurrave të hyjnë në buxhetin e Komunës së Ulqinit në të mirë të qytetarëve.

Prandaj iu kujtojmë qytetarëve të komunës së Ulqinit se e kaluara e këtyre politikanëve dëshmon se ata nuk ia duan të mirën komunës së Ulqinit dhe banorëve të saj. Iu kujtojmë se ndryshe nga ne të FORCËS që jetojmë bashkë me ta dita ditës në Ulqin, këta politikanë të Podgoricës vijnë këtu vetëm për vota e nuk kanë për t’u shfaqur më në Ulqin deri në zgjedhjet e ardhshme.

Shërbimi për informim i Forcës