Forca: Koha e fjalëve ka kaluar, tani duhen veprime konkrete

0

Forca e Re Demokratike respekton të drejtën e institucioneve për autonomi dhe nevojën e respektimit të ligjit, por në rastin e fjalorit të shumëpërfolur dhe dënimit të tifozave shqiptar në Budva , situata duket se ka dalë nga duart e organeve kompetente.

Edhe pse Akademia e shkencave e Malit të Zi është në parim institucion autonom, lëshimet drastike të bëra në përpilimin e fjalorit, dhe të cilët fyejnë rëndë popullin shqiptar dhe pakicat tjera, tregojnë se profesionalizmi është kriteri i fundit i respektuar në këtë proces.  Deklaratat e përfaqësuesve të Akademisë, sidomos kryetares së Këshillit për punimin e fjalorit Tatjana Beçanoviq, na kanë bërë të kuptojmë se as fjalori nuk ka mundur ti shpëtojë këtij kanceri të shoqërive ballkanike. Kjo më së miri vërehet në rastin e dënimit të tifozave të Shqipërisë në Budva, pasi në makinë kishin simbole kombëtare.

Këto raste drastike të mosrespektimit të popujve pakicë, tregojnë se në shoqërinë malazeze ekzistojnë akoma elemente të viteve 90-ta, të cilët më kot kanë munduar të kamuflohen në subjekte të ashtuquajtura qytetare.

Prandaj duke u nisur nga këto fakte, Forca e Re Demokratike kërkon reagimin e menjëherëshëm të institucioneve më të larta të shtetit, presidentit Vujanoviq, kryeministrit Gjukanoviq dhe kryetarit të Kuvendit Pajoviq, në rastin e parë distancimin nga fjalori dhe terminologjia e tij fyese, kurse në rastin e dytë angazhim të plotë që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Kjo jo vetëm do të ulte tensionet e krijuara kohëve të fundit, por do të ishte edhe bazë e mirë për evitimin e problemeve të tilla në të ardhmen.

                                                               

                                                                           Shërbimi për informim – FORCA