FORCA: Kemi një plan konkret për zhvillimin e bujqësisë në Ulqin

0

28/01/2018

FORCA ka një plan konkret për zhvillimin e bujqësisë në Komunën e Ulqinit

FORCA e konsideron zhvillimin e bujqësisë si shtyllën e dytë për të zhvilluar Komunën e Ulqinit së cilës do i kushtohet vëmendje e veçantë në mandatin e ardhshëm. Komuna e Ulqinit ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e bujqësisë sepse ka mbi 11 000 hektarë tokë të punueshme. FORCA do përpiqet t’iu kthej lavdinë e dikurshme prodhimeve bujqësore të Ulqinit dikur kanë furnizuar fuqimisht ish-Jugosllavinë me mandarina, bostanë , shegë, ullinj e fiq dhe kanë pasur reputacionin si prodhime shumë cilësore.

Një ndër pengesat kryesore që ka pasur bujqësia e Ulqinit është mungesa e një dogane për mallra në pikën kufitare të Sukobinës. Pa këtë njësi doganore është e pamundur që fermerët e Komunës së Ulqinit apo Krajës të eksportojnë prodhimet e tyre në Shqipëri  Prej shumë vitesh FORCA ka kërkuar që pika e kalimit kufitar Sukobonë-Muriqan të ketë edhe doganë për të mundësuar qarkullimin tregtar. Ne do të vazhdojmë të bëjmë presion në pushtetin qendror për ta mundësuar këtë gjë.

Po ashtu një tjetër problem për fermerët tanë sidomos të Anës së Malit dhe Krajës ka qenë vështirësia e komunikacionit që ka rritur koston  e nxjerrjes së produkteve bujqësore e blegtorale në Ulqin. Po ashtu ka rritur edhe koston e blerjes së lëndës së parë për fermerët si plehra kimike, insekticide, pesticide, ushqim për kafshët , fara apo fidanë. Në mungesë të rrugës Krythë-Ulqin, dhe rrugëve të tjera të fshatrave, hotelet dhe restorantet e Ulqinit e kanë pasur më të lehtë të furnizohen prej produkteve të jashtme që vijnë nga rruga e Tivarit. Mirëpo tanimë që kemi bërë të mundur realizimin e rrugës së shumëpritur Krythë Sukobinë prodhimet vendore bujqësore do të vijnë të furnizojnë turizmin me shpejtë e më lirë. Për me tepër, në kuadër të investimeve komunale ne do të restaurojmë rrugët ekzistuese apo ndërtojmë rrugë të reja rurale që fshatrat të komunikojnë sa më qasje të mirë në treg.

FORCA ka premtuar ndërtimin e një zonë industriale në Krythë të Anës së Malit që ka një pozicion strategjik pasi aty kalojnë rrugët që lidhin Ulqinin me Shqipërinë, Krajën dhe Tivarin. Në mandatin e kaluar ia ka dalë që kjo zonë të përfshihet në Planin Hapësinor të Komunës së Ulqinit dhe në mandatin e ardhshëm do të ndërmarrë investimet e duhura infrastrukturore për ta vënë në punë. Kjo zonë industriale do të ketë si qëllim kryesor tërheqjen e investimeve për grumbullimin,  konservimin e paketimin e tregtimin e prodhimeve vendore bujqësore e blegtorale.

Blegtoria në Ulqin gjithashtu ka pas një rënie si pasojë e mbylljes së dy qumështoreve që furnizoheshin prej fermerëve tanë. Mirëpo FORCA në qeverisjen e komunës do të përpiqet që nëpërmjet partneritetit privat publik të organizojë kooperativa mes blegtorëve për ri-hapjen e qumështoreve.

Për të rritur mirëqenien e banorëve të fshatrave, FORCA e ka vendosur agroturizmin si prioritet për Komunën e Ulqinit duke patur parasysh se numri i turistëve që preferojnë këtë lloj turizmi sa vjen e po rritet.  Përveç aspektit të bukurisë së natyrës, agroturizmi ynë do të bëhet tërheqës edhe falë kulinarisë karakteristike, traditës së pasur folklorike si dhe mikpritjes tipike ulqinake. FORCA tashmë ka promovuar në panaire ndërkombëtare projekte investimi të agroturizmit për lokacione si bregu i Bunës, Shasi, Darza, Milla dhe Bratica. Po ashtu  në kuadër të turizmit rural FORCA ka ndërmarrë projekte të ndryshme për të promovuar sportet dhe aktivitetet në natyrë si për shembull shtigjet e ecjes.

Për të rimëkëmbur e konsoliduar bujqësinë FORCA do të përpiqet që të mundësojë   investime infrastrukturore që kanë për qëllim përmirësimin e sistemit të vaditjes dhe kullimit si dhe përmirësimit të kushteve të tregtimit.  Po ashtu do të ndërmarrë hapa për të promovuar mbrojtjen dhe konsumin e prodhimeve vendore. Në bashkëpunim me afaristët e Ulqinit do të përpiqet të krijojë një frymë bashkëpunimi që të nxisë pronarët e hoteleve dhe restoranteve që t’iu japin përparësi furnizimit me prodhime vendase. Po ashtu në panairet e ndryshme brenda dhe jashtë vendit, Komuna e Ulqinit nuk do të promovojë vetëm hotelet e restorantet por edhe produktet tona karakteristike bujqësore dhe blegtorale në mënyrë që të nxitet eksporti.

Shërbimi për informim i Forcës