Forca: Insistojmë në realizimin e pikave të marrëveshjes me PDS

0

        Kumtesë për opinion

Forca e Re Demokratike insiston në përshpejtimin e realizimit të pikave të marrëveshjes me PDS.

​Forca në mënyrë aktive punon që ta realizojë programin politik duke nxitur organet kompetente shtetërore me iniciativa në dobi të qytetarëve.
Në Aneksin 2 të marrëveshjes në mes Forcës së Re Demokratike dhe Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila u nënshkrua vitin e kaluar, një nga pikat e rëndësishme është hapja e pikave të reja kufitare me Shqipërinë. Hapja e këtyre kalimeve do të mundësonte lidhje më të mira me Shqipërinë, të cilat do të kishin edhe ndikim të konsiderueshëm në ekonominë e bashkësisë, sidomos atë të turizmit.
Ashtu edhe siç është theksuar në marrëveshje, me rëndësi është edhe zgjerimi i pikës kufitare Sukubinë-Muriqan si për udhëtarë dhe mallëra.

Në kuadër të kësaj , kryetari i Forcës dhe Komunës së Ulqinit z.Nazif Cungu, me bashkëpunëtorët e tij, inicuan takimin e përbashkët në mes përfaqsuesve të Ministrive të punëve të brendshme të dy vendeve, dhe institucioneve tjera relevante.

Në takim u dakorduan që të dyja palët të kandidojnë pranë fondeve europiane me projektin e hapjes së pikës kufitare Shën Kollë – Pulaj, kalimi i së cilës do të bëhej me traget, si për automjete ashtu edhe për këmbësorë.

Realizimi i këtij projekti, përvec lidhjes më efikase me Shqipërinë, do të mundësonte edhe valorizimin turistik të kësaj zonës përreth lumit Buna, sidomos turizmit natyror, pasi me plan janë paraparë edhe rrugët për çiklizëm.

Përfundimi i procedurave dhe kandidimi pranë fondeve europiane do të kryhet në gjysmën e muajit shtator, dhe në rast të kalimit të projektit, realizimi do të fillojë shumë shpejt.

Poashtu, në fokusin e Forcës do të jetë edhe realizimi i hapjes së pikës kufitare Skje – Zogaj, me qëllim që zona e Krajës të ketë lidhje më të mirë me Shkodrën, çka do të kishte ndikim në përmirsimin e ekonomisë së zonës.

  

Ardijan Mavriqi,

Anëtar i Kryesisë së Forcës