“Festa e gështenjave”. Sot Kraja ishte e të gjithëve! (foto)

0

Kraja ka shumë probleme. Janë rrahur ato në biseda miqësore, diskutime politike, seanca parlamentare. Janë nënshkruar marrëveshje , janë premtuar investime, projekte, kulla e pallate. Eshtë thënë shumë, e bërë pothuajse asgjë.

Por në një ditë si kjo e sotmja ja vlen të lihen mënjanë hallet e problemet, e ashtu si e do vetë Kraja, të shijojmë më të mirën e saj.

Ajo sot para një numri rekord vizitorësh, shpalosi gjithë madhështinë e mikpritjes së saj të njohur, të shoqëruar edhe me një panair të vërtetë të prodhimeve vendase.
Nuk duhet shpenzuar fjalë për cilësinë e prodhimeve të Krajës, për duhanin, peshkun, fiqtë, e sidomos gështenjën. Ato janë të njohura përtej cdo kufiri që na rrethon, janë pasaporta dhe imazhi më i mirë i kësaj ane. Kjo ditë gjithmon ka qenë e vecantë për Krajën, por sot kishte dicka më madhështore në atmosferën që rrethonte manifestimin.

Krajanët dhe mysafirët tashmë janë mësuar që në ditën e gështenjave të kenë të ftuar zyrtarë dhe politikan nga Tivari dhe Ulqini, por kësaj rradhe patën në mesin e tyre edhe një të ftuar speciale.
Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi erdhi sot për herë të parë në Krajë, me të cilën sic tha ajo vetë, ka lidhje të vecanta.
Paraardhësit e saj janë me prejardhje nga Kraja, dhe ajo u shpreh e emocionuar që gjendet në mesin e “njerëzve të vet”.

Në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e komunave të Tivarit dhe Ulqinit, ishin prezentë edhe deputetët shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi, Luigj Shkreli dhe Genci Nimanbegu, nënkryetari i Kuvendit Suljo Mustafiq, zyrtarë të Bashkësisë Lokale, si dhe përfaqsues të mediave. Në takim u diskutua për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit në mes komunave të Tivarit, Ulqinit dhe Shkodrës, sidomos në menaxhimin e Bunës, Liqenit të Shkodrës dhe sferën e turizmit.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Genci Nimanbegu, apeloi tek kryebashkiakja Ademi që të shfrytëzojë gjithë mundësitë e veta për përshpejtimin e hapjes së pikës kufitare Skje-Zogaj, e cila është një cështje vitale për Krajën.
Ajo premtoi se sa i përket anës shqiptare do të bëjë cdo gjë që procedura të kryhet sa më shpejt, por kërkoi intensifikim të veprimtarisë për këtë cështje edhe nga ana malazeze.
Takimi u zhvillua në atmosferë të relaksuar dhe miqësore, me premtime se takimet ndërmjet zyrtarëve të komunave reth Liqenit të Shkodrës në të ardhmen do të jenë më të shpeshta dhe më frytëdhënëse, me qëllim përmirsimin e jetesës së banorëve të tyre.

Në Krajë sot njerëzit qëndruan deri vonë, bile u duk se me keqardhje po largoheshin. Vështirë të thuhet se cfarë mbresash mbartin me vete, por e përbashkët për të gjithë ishte nga një qese me gështenja nën dorë.