Exspress: Zgjedhjet lokale në Ulqin, rreziku i përsëritjes së skenarit të Tuzit

0

Portali kryesor shqiptare gazetaexpress.com dje publikoi një artikull lidhur me zgjedhjet lokale ne Ulqin ku paraqet rrezikun e përsëritjes së skenarit të Tuzit ku partitë malazeze kanë marr pushtetin në komunën e sapoformuar shqiptare.

Komuna e Ulqinit, destinacioni i preferuar i kosovarëve për pushime, është në fushatë dhe pak ditë e ndajnë nga zgjedhjet lokale që priten të mbahen në datën 4 shkurt.

Mirëpo shqetësimi kryesor i shprehur ditëve të fundit nga partitë politike shqiptare të Malit të Zi është shtimi i numrit të votuesve shqiptarë që votojnë partitë malazeze. Në vitet e fundit është parë një shtim i mbështetjes së votuesve shqiptar sidomos për partinë Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) të Milo Gjukanoviç dhe kjo gjë u vu re më së miri në zgjedhjet për komunën e Tuzit. Dobësimi i faktorit politik shqiptar shikohet si hapi i parë drejt asimilimit të mëtejshëm të shqiptarëve dhe kjo gjë ka alarmuar Tiranën zyrtare e cila disa herë ka bërë përpjekje që t’i bëj partitë shqiptarë bashkë në koalicione në mënyrë që të maksimalizohet vota e tyre.

Tanimë Ulqini gjendjet në një alarm të potencialit të madh të përsëritjes së skenarit të Tuzit. Për dekada me radhë, një ndër kërkesat kryesore të shqiptarëve të Malit të Zi ka qenë formimi i Komunës së Tuzit si komuna e dytë me shumicë shqiptare në Mal të Zi. Në 26 nëntor të vitit të kaluar u mbajtën edhe zgjedhjet e para në komunën tjetër me shumicë shqiptare të sapoformuar, në Komunën e Tuzit mirëpo rezultatet ishin shumë zhgënjyese për faktorin shqiptar pasi fitimtare doli DPS i Gjukanoviçit.

Nga 32 anëtarë që ka asambleja komunale e Tuzit, tre listat shqiptare së bashku morën vetëm 12 mandate, respektivisht Alternativa Shqiptare 7 mandate, Lidhja Demokratike Shqiptare 3 mandate dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve 2 mandate. Përderisa DPS-i fitoi 15 mandate, Partia Boshnjake 3 mandate ndërsa demokratët dhe socialdemokratet me nga 1 mandat secili. Pra DPS-i jo vetëm që doli partia e parë në zgjedhjet e Tuzit por edhe mori më shumë mandate se të gjitha partitë shqiptare të mbledhura bashkë. Edhe pse shqiptarët përbëjnë 70% të përbërjes etnike të Komunës së Tuzit, partitë shqiptare morën vetëm 34% të votave pra më pak se gjysma e shqiptarëve kanë votuar për parti shqiptare.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe në komunën e Gucisë e cila o formua në vitin 2016 kur komuna e Plavë Gucisë u nda përgjysmë. Pjesa më e madhe e shqiptarëve të dikurshëm është boshnjakëzuar dhe sot shqiptarët përbëjnë në këtë komunë 40% të popullsisë. Mirëpo në zgjedhjet e mbajtura për herë të parë në 16 tetor 2016 në këtë komunë DPS-i doli partia e parë me 9 mandate ose 27% të votave ndërsa koalicioni i partive shqiptare që garuan në Guci mori vetëm 3 mandate ose 9% të totalit.

Humbja nga partitë shqiptare të Komunës së Ulqinit do të ishte fatale për shqiptarët e Malit të Zi të cilët tashmë janë plotësisht tërësisht të asimiluar në Tivar, Plavë e Rozhajë. Po ashtu shqiptarët tashmë janë margjinalizuar në nivel qendror. Reformimi i sistemit zgjedhor që është bërë pak vite më parë ka ulur në mënyrë dramatike përfaqësimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi. Kështu nëse më parë shqiptarët kishin 3-4 deputetë në parlament tanimë kanë vetëm 1 deputet në parlament edhe pse formalisht përbëjnë pothuaj 5% të popullsisë

/Expressonline/